Identifikohen tre viktima tjera të luftës në Bosnjë e Hercegovinë

Janë identifikuar tre persona të tjerë të zhdukur në pjesë të ndryshme të Bosnjë e Hercegovinës gjatë luftës në vitet 1992-1995

Janë identifikuar tre persona të tjerë të zhdukur në pjesë të ndryshme të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) gjatë luftës në vitet 1992-1995, raporton Anadolu.

Në deklaratën nga Instituti i Personave të Zhdukur të BeH-së është shënuar se mes tre personave që janë identifikuar është edhe Zuhdija Lemes, i lindur në vitin 1949, i zhdukur në vitin 1995 në Bratunac. Eshtrat e tij janë gjetur në Bljeceva në vitin 2004.

Viktimat e tjera të identifikuara janë Hana Mujezinoviç, e lindur në vitin 1941, eshtrat e së cilës u gjetën pranë Srebrenicës në vitin 2008 dhe Mato Andriç, i lindur në vitin 1960, i cili u zhduk në Zvornik në vitin 1992 dhe eshtrat e të cilit u gjetën pranë Zvornikut në vitin 2003, thuhet në deklaratë.

– Lufta e Bosnjës filloi më 1 mars 1992 dhe zgjati deri më 14 dhjetor 1995

Asambleja Serbe mori vendimin më 21 dhjetor 1991 për të krijuar Republikën Sërpska në BeH si një strukturë federale brenda Jugosllavisë dhe për të njohur Republikën Sërpska të Krajinës në të njëjtën kohë. Në bazë të këtij vendimi, më 9 janar 1992 u shpall Republika Popullore Serbe e BeH-së.

Pasi Bosnjë e Hercegovina shpalli pavarësinë e saj si rezultat i referendumit të mbajtur më 29 shkurt-1 mars 1992, ushtria jugosllave dhe njësitë paraushtarake serbe nën kontrollin e serbëve filluan “spastrimin etnik” kundër boshnjakëve muslimanë.

Më shumë se 100 mijë njerëz humbën jetën në luftën e Bosnjës, e cila zgjati deri më 14 dhjetor 1995 ndërsa rreth 2 milionë njerëz u detyruan të emigrojnë.

Kategoritë
LajmeRajoni