Imami i Qabesë Abdullah Avad el-Xhuheni prin në namazin e jacisë me xhematin e kryeqytetit

Të enjten, imami el-Xhuheni do ta vizitojë qytetin e Prizrenit, ku do t’i prijë namazit të akshamit në Xhaminë “Sinan Pasha”, ndërsa të premten ai do të qëndrojë përsëri në Prishtinë, ku do ta mbajë hutben e xhumasë në Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih”

Imami i Qabesë Abdullah Avad el-Xhuheni, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, ka prirë në namazin e jacisë në Xhaminë “Shuajb Arnauti” në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë rreth 1 mijë besimtarë muslimanë, raporton Anadolu Agency (AA).

Me ftesë të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, imami po qëndron në Kosovë për vizitë treditore.

Në një adresim pas namazit të jacisë, Abdullah Avad el-Xhuheni tha se besimtarët muslimanë duhet të kapen për Librin e Zotit, Kuranin, dhe praktikën e të dërguarit të fundit të Zotit, pejgamberit Muhamed.

“Allahu na tha në librin e tij fisnik, me të vërtetë ky Kuran udhëzon tek rruga e vetme dhe e vërtetë dhe po ky Kuran është ai i cili u jep shenja besimtarëve të cilët bëjnë vepra të mira dhe për ta ka paralajmërim se do të kenë shpërblim madhështor”, theksoi el-Xhuheni.

Ai tha se pikësynim i zbritjes së Kuranit fisnik tek profeti Muhamed alejhiselam është që fillimisht ta kuptojmë atë, pastaj të meditojmë në kuptimësitë e thella të tij.

Myftiu Naim Tërnava tha se u deshën më shumë se 600 vjet që një imam i Haremit të Qabesë të vije në Kosovë.

Tërnava tha se imami mysafir në Kosovë ka qenë imam nga mosha 21-vjeçare ka qenë imam në Xhaminë e Pejgamberit në Medinë.

“U desh që të kalojnë 600 e ca vite që të shkelë në tokën tonë, në Kosovën tonë të dashur, këmba edhe e një imami të haremit në Mekë të Qabesë. Mirëpo, ky njëherësh ka qenë imam edhe në Xhaminë e Pejgamberit alejhiselam në Medinë, në xhaminë e Kibletein dhe në Xhaminë e Kubasë”, theksoi Tërnava.

Të enjten, imami el-Xhuheni do ta vizitojë qytetin e Prizrenit, ku do t’i prijë namazit të akshamit në Xhaminë “Sinan Pasha”, ndërsa të premten ai do të qëndrojë përsëri në Prishtinë, ku do ta mbajë hutben e xhumasë në Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih”, të njohur si Xhamia e Madhe.

El-Xhuheni lindi në Medine në vitin 1976, ndërsa me zërin e tij të veçantë fitoi popullaritet që nga mosha 16-vjeçare, kur fitoi vendin e parë në konkursin botëror të leximit të Kuranit që u mbajt në Mekë.

Kategoritë
LajmeVendi