Inflacioni vjetor i Kanadasë arrin nivelin më të lartë që nga 1991

Rritja e çmimeve u nxit kryesisht nga ushqimi dhe strehimi, ndërsa çmimet e karburantit u ngadalësuan nga marsi, sipas agjencisë kombëtare statistikore të Kanadasë

Çmimet e konsumit në Kanada u rritën me 6,8 për qind në bazë vjetore në prill, shifra më e lartë që nga janari i vitit 1991, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shifra u rrit nga 6,7 për qind në muajin e kaluar.

Rritja e çmimeve u nxit kryesisht nga ushqimi dhe strehimi, ndërsa çmimet e karburantit u ngadalësuan nga marsi, sipas agjencisë kombëtare statistikore të Kanadasë.

“Pa përfshirë benzinën, inflacioni u rrit me 5,8 për qind nga viti në vit në prill, pas një rritjeje prej 5,5 për qind në mars. Ky ishte ritmi më i shpejtë që nga prezantimi i të gjithë artikujve me përjashtim të agregatit special të benzinës në vitin 1999”, tha agjencia.

Kanadezët paguanin 9,7 për qind më shumë në prill për ushqimet e blera nga dyqanet në krahasim me prillin 2021.

“Kjo rritje, e cila kaloi 5 përqindëshin për të pestin muaj radhazi, ishte rritja më e madhe që nga shtatori 1981”, thuhet më tej.

Në prill, kostot e strehimit u rritën me 7,4 për qind në bazë vjetore, ritmi më i shpejtë që nga qershori 1983, pas një rritjeje prej 6,8 për qind në mars.

“Çmimet më të larta për burimet e energjisë të përdorura për ngrohjen e shtëpive, si gazi natyror (+22,2 për qind) dhe nafta dhe lëndët djegëse të tjera (+64,4 për qind), kontribuuan në rritje”, sipas agjencisë statistikore.

Operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit vazhdoi të ndikojë në energjinë, mallrat dhe më së shumti çmimet e ushqimeve.

Në bazë mujore, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0,6 për qind në muajin prill, pak mbi parashikimet prej 0,5 për qind.

Kategoritë
BotaLajme