Inflacioni vjetor në Eurozonë arrin nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në korrik

Shifra është rritur në 8,9 për qind në korrik, treguan të dhënat paraprake

Inflacioni vjetor i konsumatorit në Eurozonë shënoi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 8,9 për qind këtë korrik, sipas një vlerësimi të shpejtë nga zyra e statistikave e Bashkimit Evropian (Eurostat), transmeton Anadolu Agency (AA).

Shifra, që është mbi parashikimet e tregut, u rrit nga 8,6 për qind një muaj më parë dhe 2,2 për qind një vit më parë.

“Energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore në korrik (39,7 për qind, krahasuar me 42,0 për qind në qershor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (9,8 për qind, krahasuar me 8,9 për qind në qershor), mallrat industriale joenergjetike (4,5 për qind, krahasuar me 4,3 për qind në qershor) dhe shërbimet (3,7 për qind, krahasuar me 3,4 për qind në qershor)”, tha Eurostat.

Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, gjithashtu është rritur në 4 për qind në korrik, kundrejt 3,7 përqindëshit të qershorit.

Në bazë mujore, çmimet e konsumit janë rritur me 0,1 për qind në korrik.

Kategoritë
BotaLajme