Influencerët e djathtë po e braktisin Trumpin për shkak të doganave: Njëri humbi gati 20 milionë dollarë

Vendimi i Donald Trumpit për të vendosur dogana ndaj pothuajse të gjitha shteteve të botës ka sjellë pasoja të shumta për Shtetet e Bashkuara dhe për vetë Trumpin si president. Së fundmi, ai po përballet me kritika të hapura nga influencerë të djathtë, me ndihmën e të cilëve kishte fituar zgjedhjet.

Siç shkruan AP News, influencerët që dikur ishin shprehur hapur se do të votonin për Trumpin – madje disa që e kishin ftuar në platformat e tyre – tashmë po hezitojnë, e shkaku kryesor janë doganat që ai vendosi.

Më i rëndësishmi mes tyre është padyshim Joe Rogan, drejtuesi i podcastit më të dëgjuar në botë, “Joe Rogan Experience”.

Rogan e kishte ftuar Trumpin dhe aleatin e tij të ngushtë, Elon Musk, disa herë në emision, dhe madje kishte pranuar publikisht se do të votonte për të. Por vendimi për tarifat doganore bëri që Rogan ta kritikojë publikisht Trumpin gjatë një episodi të podcastit të tij.

Përveç doganave, Rogan e kritikoi Trumpin edhe për deportimet masive, të cilat i quajti “çnjerëzore”.

Ndër zërat më me ndikim që po ashtu e kanë kritikuar fuqishëm Trumpin është edhe Ben Shapiro, influencer konservator me miliona ndjekës dhe njëri nga themeluesit e shtëpisë mediatike të fuqishme “Daily Wire”.

Shapiro e kishte mbështetur Trumpin deri në momentin kur ky i fundit shpalli tarifat. Ngjarjen ku Trump i publikoi detajet për këtë vendim, Shapiro e quajti “prezantimi më i keq i mundshëm” dhe pretendimet se këto masa do ta pasuronin Amerikën, i cilësoi si “të pasakta”.

Trumpin për çështjen e doganave e ka braktisur edhe Dave Portnoy, pronari i kompanisë Barstool dhe influencer me miliona ndjekës. Ai e kishte kritikuar hapur ekipin e Trumpit pas një skandali me mesazhe në aplikacionin Signal, ndërsa tani ka kritikuar edhe vetë presidentin amerikan.

Portnoy ka bërë të ditur se si pasojë e rënies së tregjeve ka humbur deri në 20 milionë dollarë në aksione dhe kriptovaluta – shifër që, sipas vlerësimeve të AP-së, përbën rreth 15 për qind të pasurisë së tij totale.

Megjithatë, Portnoy e përfundoi kritikën ndaj Trumpit duke thënë se ende beson se “është një njeri i mençur” dhe se do të gjejë një rrugëdalje nga kjo situatë.

Kategoritë
BotaLajme