Inspektorati Policor rekomandon suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut

“Duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit”, njofton IPK

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton IPK, rekomandimi është bërë për shkak se Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “sabotim” dhe “thirrje për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative. Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit”, njofton IPK.

Tutje thuhet se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Gjuriq ka thënë se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë vetura me targa ilegale.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka deklaruar Gjuriq.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023, të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

Kategoritë
LajmeVendi