Instalohet qeveria ruse në Ukrainë/ Nga 5 korriku rajoni i Khersonit qeveriset nga një kryeministër rus

Moska ka përshpejtuar rusizimin e rajonit Kherson në Ukrainë. Nga 5 korriku në rajonin e pushtuar është instaluar një qeveri e re sipas stilit rus. Pjesë e kabinetit janë disa zyrtarë nga Kaliningradi si edhe deputetë pro rusë të Ukrainës.

Në 5 korrik është instaluar zyrtarisht qeveria e re sipas modelit rus në rajonin e pushtuar të Khersonit në Ukrainë.

Administrata ushtarako-civile e rajonit, e cila u vendos fill pas pushtimit bën me dije se qeveria e Khersonit do të drejtohet nga Sergej Elisjev i cili më përpara ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit të Kaliningradit.

Dy deputetë të Parlamentit ukrainas gjithashtu janë emëruar si zëvendëskryeministra.

Sipas autoriteteve të Khersonit, përbërja e qeverisë është ende duke u formuar dhe kandidatët për postet ministrore do të propozohen nga kreu i qeverisë dhe do të diskutohen nga administrata.

Në mes të muajit mars, ushtria ruse mori nën kontroll dy rajonet e mëdha me dalje në Detin e Zi dhe Detin Azov, Kherson dhe Zaporizhja.

Menjëherë aty nisi puna për rusizimin e rajoneve duke instaluar administrata ushtarako-civile dhe duke nisur edhe transmetimin e kanaleve televizive dhe radiostacioneve ruse.

Gradualisht po krijohen lidhjet ekonomike dhe të transportit me rajonet ruse.

Udhëheqësit e Khersonit duan që t’i japin banorëve të këtij rajoni të njëjtin fat si të Krimesë dhe Sevastopollit.

Ata i bënë thirrje Moskës që të aneksojnë rajonin.

Megjithëse Kremlini ua la në dorë qytetarëve të vendosin, duke nënkuptuar ndonjë referendum si ai i 2014, apo si ato që u përdorën për vetëshpalljen e pavarësisë së rajoneve separatiste në rajonin e Donbasit, presidenti Putin nënshkroi një dekret për pasaportizimin e lehtësuar të banorëve të Khersonit dhe Zaporizhjas.

Kategoritë
BotaLajme