Inteligjenca amerikane: Ukraina dha pëlqimin për sulmin ku humbi jetën gazetarja ruse Daria Dugina

Gazetarja Daria Dugina, vajza e nacionalistit eminent rus, humbi jetën nga shpërthimi i eksplozivit në automjetin e saj në gusht.

Anëtarët e qeverisë ukrainase dhanë pëlqimin për sulmin pranë Moskës, ku nga shpërthimi i eksplozivit në automjet humbi jetën gazetarja Daria Dugina, vajza e nacionalistit eminent rus, konsiderojnë agjencitë amerikane të inteligjencës.

Sipas “New York Times”, zyrtarët amerikanë shprehin frikën se sulmi i kryer në gusht ka lidhje me fushatën e fshehtë, për çka paralajmërojnë se mund të ndikojë më përhapjen e konfliktit që është në vazhdim.

Sipas deklaratave të zyrtarëve, SHBA-ja nuk ka qenë pjesë e sulmit dhe nuk ka ofruar të dhëna inteligjente apo ndonjë ndihmë tjetër.

“Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë pasur njohuri për operacionin”, thuhet në raport, duke shtuar se zyrtarët amerikanë do të kundërshtonin vrasjen nëse do të ishin konsultuar.

“New York Times” në publikimin e saj tha se SHBA-ja javën e kaluar është informuar për rolin e ukrainasve.

Më tej thuhet se SHBA-ja është e shqetësuar se sulme të tilla mund të ndikojnë në zhvillimet e luftës dhe të provokojnë Rusinë që godas zyrtarët ukrainas.

“Zyrtarët amerikanë janë të frustruar nga mungesa e transparencës së Ukrainës në aspektin e planeve sekrete dhe ushtarake, posaçërisht në tokën ruse”, thuhet në raport.

Gjithashtu bëhet e ditur se shënjestër e sulmit ishte Aleksandar Dugin, babai i gazetares, për të cilin operativët kishin bindjen se ndodhej në automjet.

Mbetet e panjohur se kush nga qeveria ukrainase ka urdhëruar sulmin dhe nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka nënshkruar operacionin.

Autoritetet ruse kanë fajësuar Ukrainën për sulmin.

 

Kategoritë
BotaLajme