Zyra Federale për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV) njoftoi krijimin e një task-force speciale për të luftuar fushatat e mundshme të dezinformimit dhe sulmet kibernetike
Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane ka lëshuar një paralajmërim për “ndërhyrje të huaja” të mundshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, transmeton Anadolu.
Zyra Federale për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV) njoftoi krijimin e një task-force speciale për të luftuar fushatat e mundshme të dezinformimit dhe sulmet kibernetike para shkurtit të vitit të ardhshëm. “Ngjarjet e tilla kyçe politike gjithmonë mund të kthehen objektiv i ndikimit të padrejtë nga fuqitë e huaja që kërkojnë të ndjekin qëllimet e tyre strategjike”, tha BfV-ja në analizën e saj mbi kërcënimet.
Agjencia gjermane e inteligjencës paralajmëroi për një gamë të kërcënimeve të mundshme, përfshirë fushata të dezinformimit dhe diskreditimit si dhe operacione të spiunazhit dhe sabotimit. Sipas BfV-së, Rusia “ndoshta ka interesin më të madh dhe më të dukshëm për të ndikuar në zgjedhje”, veçanërisht në sfondin e luftës së saj në vazhdim në Ukrainë.
Agjencia theksoi se Moska po zhvillon një “luftë informacioni” me Perëndimin, në mënyrë agresive duke zgjeruar një retorikë pro-ruse dhe anti-perëndimore. “Qëllimi është krijimi ose thellimi i pasigurive dhe linjave ndarëse në shoqërinë gjermane, për të reduktuar gatishmërinë për të mbështetur Ukrainën dhe në këtë kuptim për të ndikuar në vendimet politike”, shpjegoi agjencia.
BfV-ja theksoi inteligjencën artificiale si një kërcënim në zhvillim, duke paralajmëruar se “video të rreme” dhe audio-regjistrime të rreme mund të përdoren për të mashtruar votuesit.
Sulmet e mëparshme kibernetike ndaj politikanëve dhe partive politike gjermane i janë atribuar grupeve ruse të hakerëve, përfshirë “APT 28” dhe “Ghostwriter”. Ata u akuzuan për operacione “hakim dhe rrjedhje” dhe “hakim dhe publikim”.
Agjencia gjermane theksoi rreziqet e shtuara të sulmeve sabotuese që synojnë infrastrukturën kritike.
“Meqenëse zgjedhjet federale janë veçanërisht në sy të publikut, një aktor i huaj po ashtu mund të konsiderojë aktivitete të sabotimit. Aktivitete të tilla jo vetëm që shkaktojnë dëme, por ato gjithashtu kanë një dimension propagandistik”, tha BfV.
Gjermania do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 23 shkurt të vitit 2025, pas rënies së papritur të qeverisë së koalicionit tre-partiak të kancelarit Olaf Scholz.
Votimi i parakohshëm u shkaktua pasi mosmarrëveshjet e brendshme mbi shpenzimet e qeverisë dhe prioritetet e politikave çuan në shpërbërjen e aleancës në pushtet. Votuesit do të zgjedhin një parlament të ri në një moment vendimtar pasi ekonomia më e madhe e Evropës përballet me probleme ekonomike në rritje, shqetësime për sigurinë energjetike dhe sfida të politikës së jashtme.