Mesut Kurtish, i cili njihet për interpretimet e tij me motive fetare, ka thirrur ezanin në mbrëmjen e iftarit të organizuar në Wenstminster Hall.
Interpretuesi i njohur i ilahive nga Shkupi, Mesut Kurtish, ka thirrur të enjten ezanin në ndërtesën e Parlamentit të Britanisë, transmeton Anadolu.
Kurtish, i cili njihet për interpretimet e tij me motive fetare, përveç ezanit, në mbrëmjen e iftarit të organizuar në Wenstminster Hall, hapësirë ikonike në pallatin e parlamentit britanik, ka interpretuar edhe pjesë nga bagazhi i tij artistik.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kurtish e ka cilësuar këtë rast si moment të paharrueshëm.
“I nderuar të thërras ezanin e parë ndonjëherë në Westminster Hall, një moment vërtet i paharrueshëm. Recitimi i Al-Burda dhe Salawat në këtë hapësirë ikonike 900-vjeçare ishte thellësisht i veçantë”, ka shkruar Kurtish.
Iftari, i organizuar nga Grupi Parlamentar Gjithëpartiak për Muslimanët Britanikë, ka mbledhur së bashku udhëheqës, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, ambasadorin e shtetit të Palestinës në Britaninë, Husam Zomlot, deputetë britanikë dhe udhëheqës fetarë.