Inspektorati Policor i Kosovës paralajmëroi hetim për t’i verifikuar rrethanat në të cilat mbrëmë u arrestuan dy persona në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq.
IPK u deklarua për këtë pas një incidenti që raportohet se të dyshuarit ishin keqtrajtuar nga Policia.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) do të verifikojnë rrethanat e arrestimit dhe pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident që raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e 12 janarit 2025 dhe pretendimet për keqtrajtim gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në një rast tjetër të një arrestimi në Soqanicë të Leposaviqit”, tha IPK në një komunikatë për media.
Inspektorati Policor tha se ka filluar “procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me rrethanat e arrestimeve të dy qytetarëve nga policia në këto dy raste”.