Irak, shpallet orë policore në mbarë vendin pasi protestuesit futen në Pallatin Republikan

Ora policore mbarëkombëtare do të hyjë në fuqi në orën 19:00 sipas kohës lokale deri në njoftimin e mëtejshëm, thonë autoritetet

Komanda e Përbashkët e Operacioneve të Irakut shpalli orë policore në mbarë vendin pasi mbështetësit e klerikut shiit Muqtada al-Sadr u futën në Pallatin Republikan, ku është e vendosur edhe qeveria, në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky veprim erdhi disa orë pasi al-Sadr njoftoi tërheqjen e tij totale nga politika në mes të një krize politike mujore në vend.

Ora policore mbarëkombëtare do të hyjë në fuqi në orën 19:00 sipas kohës lokale deri në njoftimin e mëtejshëm, thonë nga komanda.

Komanda më herët kishte vendosur orë policore në kryeqytetin Bagdad në orën 15:30 sipas kohës lokale.

Sipas mediave lokale, masa erdhi pasi forcat irakiane të sigurisë tentuan përmes të shtënave të fuqishme të shpërndarjnë protestuesit pro-Sadr nga afërsia e Pallatit Republikan dhe morën kontrollin e plotë të tij.

Nga ana e tij, kryeministri Mustafa al-Kadhimi pezulloi seancat e kabinetit deri në një njoftim të dytë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve INA duke cituar një deklaratë të qeverisë.

Zyra e mediave e Al-Kadhimit tha se pezullimi erdhi pasi protestuesit sulmuan pallatin.

Të shtunën, al-Sadr u bëri thirrje partive politike të vendit që të largohen dhe të mbajnë zgjedhje të parakohshme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike disamujore të Irakut.

Ai gjithashtu bëri thirrje që të eliminohen nga skena politike në Irak të gjitha partitë dhe personalitetet që kanë marrë pjesë në procesin politik që nga pushtimi amerikan në vitin 2003.

Mosmarrëveshjet ndër-shiite kanë penguar formimin e një qeverie të re në Irak që nga zgjedhjet e fundit të 10 tetorit 2021.

Kategoritë
BotaLajme