Iran, 4 të vdekur dhe 61 të plagosur në përplasjet dhe zjarrin në burgun e sigurisë së lartë

Vdekjet kanë ndodhur për shkak të “thithjes së tymit” si pasojë e zjarrit, thuhet në njoftimin zyrtar

Të paktën katër të burgosur kanë humbur jetën dhe 61 të tjerë janë plagosur në përplasjet dhe zjarrin e së shtunës mbrëma në burgun e sigurisë së lartë Evin në Teheran, thanë autoritetet gjyqësore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vdekjet kanë ndodhur për shkak të “thithjes së tymit” si pasojë e zjarrit, thuhet në njoftimin zyrtar, i cili shton se viktimat kanë qenë të dënuar për vjedhje.

Incidenti ndodhi rreth orës 21:10 me kohën lokale të shtunën, ndërsa videot e qarkulluara në internet treguan shtëllunga tymi që ngriheshin nga kompleksi i burgut, së bashku me tinguj të shpërthimeve dhe të shtëna armësh.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA fillimisht raportoi për përplasje midis të burgosurve dhe stafit në burg, duke shtuar se disa të burgosur i vunë flakën një depoje rrobash. Agjencia tha të shtunën në mbrëmje se vetëm tetë persona ishin plagosur.

Disa media lokale thanë se të burgosurit, kryesisht me akuza për krime financiare, dogjën një punëtori qepëse në burg pas një sherri me stafin.

Sot, në lidhje me incidentin dolën raportime kontradiktore, pasi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars tha se disa të burgosur u përpoqën të arratiseshin dhe pa dashje shkelën në një fushë të minuar në kodrat në veri të burgut, gjë që shkaktoi shpërthime të forta.

Tentativa për arratisje ndodhi pas përleshjeve mes dy grupeve të të burgosurve, gjatë të cilave iu vu zjarri një depoje rrobash brenda burgut, thuhet në raportim.

Megjithatë, një lajm i publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare Tasnim News, duke cituar burime, tha se asnjë i burgosur nuk hyri në zonën e minave tokësore në kodra. Ajo tha se ngjarja kryesore ka ndodhur në repartin e burgut ku ishin të vendosur vjedhës.

Sipas raportimeve, familjet e të burgosurve u mblodhën jashtë burgut të sigurisë së lartë sot dhe protestuan kundër incidentit.

Burgu Evin është qendra më e madhe e paraburgimit në kryeqytetin iranian që mban mijëra të burgosur, përfshirë shumë të arrestuar në protestat e fundit për vdekjen e Mahsa Aminit, gruas iraniane, teksa ishte në arrest policor.

Kategoritë
BotaLajme