Iran, të paktën 15 të vrarë dhe 40 të plagosur në një sulm të armatosur në tempullin shiit në Shiraz

Ngjarja erdhi në mes të protestave të përhapura në të gjithë Iranin për vdekjen e një gruaje të re iraniane, Mahsa Amini, teksa gjendej në arrest policor muajin e kaluar

Të paktën 15 persona janë vrarë dhe 40 janë plagosur pasi një grup sulmuesish të armatosur hapën zjarr joselektiv në një tempull shiit në provincën jugore Fars të Iranit, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 me kohën lokale (1415 GMT) kur tre burra të armatosur rëndë sulmuan faltoren Shah Cheragh në qytetin historik të Shirazit në provincën Fars.

Sipas mediave, dy sulmues u kapën menjëherë nga rojet lokale të sigurisë dhe kërkimi vazhdon për sulmuesin e tretë, i cili, siç thuhet, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse detajet janë ende të paqarta, mediat thonë se një grua dhe dy fëmijë gjenden në mesin e viktimave.

Faltorja Shah Cheragh, ku gjendet varri i një dijetari shiit, është destinacion popullor pelegrinësh në Iranin jugor, i frekuentuar nga pelegrinët vendas dhe të huaj.

Ngjarja erdhi në mes të protestave të përhapura në të gjithë Iranin për vdekjen e një gruaje të re iraniane, Mahsa Amini, teksa gjendej në arrest policor muajin e kaluar.

Kategoritë
BotaLajme