Iran, vajza e ish-presidentit Rafsanjani dënohet me 5 vjet burg

Faize Hashemi është dënuar për akuzën e “propagandës kundër regjimit” dhe “prishjes së rendit publik”

Faize Hashemi, vajza e ish-presidentit Ali Akbar Hashemi Rafsanjani, e cila u arrestua në lidhje me protestat në Iran pas vdekjes së Mahsa Emini, është dënuar me 5 vjet burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avokatja e Hashemit, Nida Shams, ka njoftuar në llogarinë e saj në Twitter se ajo është dënuar me 5 vite burg për akuzën e “propagandës kundër regjimit” dhe “prishjes së rendit publik”.

Shams tha se rruga për të apeluar vendimin e gjykatës është e hapur dhe mund të apelohet.

Duke theksuar se Faize, vajza e ish-presidentit Rafsanjani, është ende në burg, Shams deklaroi se ndaj saj janë ngritur edhe padi të tjera.

Faize Hashemi u ndalua me arsyetimin e “provokimin e protestuesve” gjatë protestave që nisën pas vdekjes së Mahsa Aminit në kryeqytetin Teheran më 27 shtator.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Mesud Setayeshi, njoftoi më 11 tetor se Hashemi është arrestuar me akuzën e “prishjes së rendit publik” dhe “propagandimit kundër regjimit”.

– Faize Hashemi njihet për kritikat e ashpra ndaj pushtetit të vendit

Faize Hashemi, e cila ka dalë në plan të parë sidomos në vitet e fundit me kritika dhe akuza të ashpra ndaj pushtetit të vendit, në një fjalim që mbajti në një konferencë në Universitetin e Zanjanit në vitin 2017, tha: “Ashtu siç kundërshtova ndalimin e shamisë gjatë periudhës së Shahut, jam kundër që ajo të jetë e detyrueshme tani”.

Në fjalimin e saj në janar 2021, Hashemi deklaroi se mbështet presionin e SHBA-së ndaj Iranit dhe mori reagime nga shumë qarqe, përfshirë edhe rrethin e saj. Në një fjalim në prill, Hashemi tha se Ushtria e Gardës Revolucionare duhet të mbetet në listën e sanksioneve të SHBA-së.

Në maj, zyra e prokurorit hapi një hetim kundër Hashemit për mbështetjen e saj për sanksionet kundër administratës së Teheranit dhe deklaratat e saj për Profetin Muhamed, për të cilat ajo më vonë pretendoi se ishin “shaka”.

Kategoritë
BotaLajme