Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh bërthamore në Romë të shtunën, me qëllim zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar rreth objektivave bërthamore të Teheranit, nën hijen e kërcënimit të presidentit Donald Trump për ndërmarrjen e një veprimi ushtarak nëse qasja diplomatike dështon.
Ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të negociojnë në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësve nga Oman, një javë pas raundit të parë në Muskat, të cilin të dyja palët e kanë cilësuar si konstruktiv.
Araqchi ka mbërritur në Romë për të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve, sipas një postimi në llogarinë e tij në Telegram. Ai tha të premten në Moskë se Irani beson se është e mundur të arrihet një marrëveshje për programin bërthamor me SHBA-në, përderisa Uashingtoni të jetë realist në pritshmëritë e tij.
Megjithatë, Teherani është përpjekur të zbusë pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë, pas spekulimeve të disa zyrtarëve iranianë se sanksionet mund të hiqen së shpejti. Autoriteti më i lartë i Iranit, udhëheqësi suprem ajatollah Ali Khamenei, tha këtë javë se nuk është “as tepër optimist, as pesimist”.
Nga ana tjetër, Trump u tha gazetarëve të premten: “Shumë thjesht, unë dua të parandaloj që Irani të ketë armë bërthamore. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Dua që Irani të jetë i madh, i begatë dhe i mrekullueshëm.”
Trump, i cili e braktisi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018 dhe i riktheu sanksionet ndaj Teheranit, ka ringjallur fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Uashingtoni dëshiron që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, për të cilin beson se është i drejtuar drejt ndërtimit të një bombe bërthamore, raporton Reuters.
Teherani, i cili gjithmonë ka deklaruar se programi i tij bërthamor është paqësor, thotë se është i gatshëm të negociojë disa kufizime në këmbim të heqjes së sanksioneve, por kërkon garanci të padiskutueshme që SHBA nuk do të tërhiqet më nga marrëveshja, siç bëri Trump në vitin 2018.
Që nga viti 2019, Irani ka shkelur dhe ka tejkaluar ndjeshëm kufizimet e marrëveshjes së vitit 2015 për pasurimin e uraniumit, duke prodhuar rezerva shumë më të mëdha se ç’thotë Perëndimi se janë të nevojshme për një program energjie civile.
Megjithëse si Teherani ashtu edhe Uashingtoni kanë thënë se janë të gatshëm të vazhdojnë me diplomacinë, ende ekziston një hendek i madh mes tyre për një konflikt që zgjat prej më shumë se dy dekadash.