Irani konfirmon se bisedimet me SHBA-në do të mbahen në Romë

Megjithëse mediat amerikane fillimisht raportuan se raundi i dytë do të mbahej në Romë, Irani njoftoi planet për t’u kthyer në Oman, por vendimi i fundit konfirmon Romën si vendin e ri për negociatat

Teherani ka konfirmuar se raundi i dytë i bisedimeve me SHBA-në për programin bërthamor të Iranit, i planifikuar fillimisht për në Oman, tani do të zhvillohet në Romë, transmeton Anadolu.

Sipas televizionit shtetëror iranian, Omani do të vazhdojë rolin e tij si ndërmjetës gjatë negociatave.

Bisedimet pasojnë një letër të dërguar muajin e kaluar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deri te udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, duke bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta bërthamore. Irani iu përgjigj letrës përmes Omanit.

Të dy vendet u angazhuan më vonë në bisedime në Muscat të Omanit më 12 prill, të cilat nga të dyja palët u përshkruan si “pozitive dhe konstruktive”.

Megjithëse mediat amerikane fillimisht raportuan se raundi i dytë do të mbahej në Romë, Irani njoftoi planet për t’u kthyer në Oman, por vendimi i fundit konfirmon Romën si vendin e ri për negociatat.

Në fillim të kësaj jave, i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha për Fox News se Washingtoni do të pranojë pasurimin e uraniumit nga Irani deri në 3,67 për qind, kufiri sipas marrëveshjes së mëparshme bërthamore.

Megjithatë, Witkoff më vonë tha se Irani duhet të ndalojë pasurimin krejtësisht.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, u përgjigj duke theksuar se vendi i tij është i gatshëm të trajtojë shqetësimet në lidhje me programin e tij bërthamor, por nuk do të negociojë të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit.

Kategoritë
BotaLajme