Irani pohon “të drejtën për vetëmbrojtje” pas sulmeve izraelite në mes të tensioneve të rritura

Ministria iraniane theksoi angazhimin e vendit për paqen rajonale, duke u kujtuar vendeve fqinje për “përgjegjësinë e tyre individuale dhe kolektive për të ruajtur stabilitetin rajonal

Irani ka dënuar ashpër sulmet ajrore izraelite ndaj objekteve ushtarake iraniane, duke i quajtur ato një “shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe duke pohuar “të drejtën për vetëmbrojtje”, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit i përshkroi sulmet, që u zhvilluan gjatë natës së kaluar, si një “aksion agresiv” që vunë në shënjestër objekte të shumta ushtarake nëpër qytetet iraniane.

Ministria iraniane theksoi “detyrimin e Iranit për t’u mbrojtur kundër agresionit të huaj” nën të drejtën e vetëmbrojtjes legjitime, siç përshkruhet në nenin 51 të Kartës së OKB-së, që u lejon vendeve anëtare të përdorin forcën në vetëmbrojtje pas një sulmi të armatosur.

Më tej, ministria theksoi angazhimin e Iranit për paqen rajonale, duke u kujtuar vendeve fqinje për “përgjegjësinë e tyre individuale dhe kolektive për të ruajtur stabilitetin rajonal”.

Ajo gjithashtu vlerësoi mbështetjen rajonale dhe ndërkombëtare nga vendet që dënuan sulmet mes tensioneve të rritura rajonale për shkak të luftërave të Izraelit në Gaza dhe Liban.

Irani bëri thirrje për veprime urgjente ndërkombëtare për të adresuar “shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së, Konventës së Gjenocidit dhe ligjit ndërkombëtar humanitar”, duke u kërkuar nënshkruesve të OKB-së dhe palëve të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe Katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 që të veprojnë kolektivisht kundër këtyre shkeljeve.

Sulmi ndaj objekteve ushtarake në Teheran, si dhe në provincat Ilam dhe Khuzestan u raportua rreth orës 02:30 të mëngjesit me kohën lokake, kur banorët dëgjuan zhurma të forta nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Iranit thanë se sulmet izraelite vunë në shënjestër pozita në provincat Teheran, Khuzestan dhe Ilam, si dhe theksuan se mbrojtja e saj pengoi me sukses shumicën e sulmeve. Megjithatë, nga atje njoftuan se sulmet shkaktuan “dëm të kufizuar në disa lokacione”, me një hetim në vazhdim.

Më vonë, ushtria e Iranit njoftoi se dy ushtarë u vranë derisa “mbronin sigurinë e Iranit dhe të popullit, si dhe interesat e vendit nga predhat e lëshuar nga regjimi sionist”. Ata nuk specifikuan lokacionet e sakta të prekura apo shkallën e dëmit.

Ky sulm i rrallë i drejtpërdrejtë ndaj objekteve ushtarake iraniane pason sulmet me raketa iraniane në Tel Aviv të kryera si hakmarrje për vrasjet e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Abbas Nilforoushan.

Irani më parë paralajmëroi se çdo sulm nga Izraeli do të rezultonte në një “përgjigje më të fortë”.

Kategoritë
BotaLajme