Irani reagon ndaj sulmit të SHBA-së ndaj “grupeve të lidhura me Teheranin” në Siri

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani argumentoi se, në kundërshtim me deklaratën e Washington-it, grupet që ishin objektivi i sulmit nuk kishin asnjë lidhje me Iranin

Irani njoftoi se dënon ashpër sulmin ajror të SHBA-ve në Siri, duke e përshkruar atë si një “shkelje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Sirisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e tij me shkrim, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani argumentoi se, në kundërshtim me deklaratën e Washington-it, grupet që ishin objektivi i sulmit nuk kishin asnjë lidhje me Iranin.

Duke e përshkruar sulmin si “një sulm terrorist që synon popullin sirian dhe luftëtarët që i rezistojnë okupimit”, Kanaani tha se SHBA-ja ka shkelur sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë.

“Prania e ushtarëve amerikanë në disa pjesë të Sirisë konsiderohet si pushtim dhe kundër ligjit ndërkombëtar. SHBA-ja duhet të largohet menjëherë nga Siria dhe të ndalojë plaçkitjen e burimeve të naftës dhe grurit të këtij vendi”, tha Kanaani

Në një deklaratë të bërë sot nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), u njoftua se me udhëzimin e presidentit Joe Biden u krye një sulm ajror në qytetin e Deir ez-Zor të Sirisë, duke synuar objektet e infrastrukturës të përdorura nga grupet e lidhura me Gardën Revolucionare iraniane.

Kategoritë
BotaLajme