Irani, Rusia dhe Kina do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake në Gjirin Persik

Stërvitja pritet të mbahet në fund të vitit 2021 ose në fillim të 2022.

Rusia, Irani dhe Kina do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët ushtarake në Gjirin Persik.

Ambasadori rus në Teheran, Levan Dzhagaryan, lidhur me stërvitjen foli për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, raportoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA.

Ai tha se Rusia do të organizojë një stërvitje të përbashkët detare me forcat detare të Iranit dhe Kinës në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022 në Gjirin Persik.

Ambasadori rus tha se qëllimi kryesor i stërvitjes, në të cilën do të marrin pjesë anijet luftarake të të tre vendeve, është të ofrojnë sigurinë detare, si dhe luftën kundër piraterisë.

Ai gjithashtu foli për rrugën e Iranit drejt anëtarësimit të plotë në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait.

“Moska mbështet anëtarësimin e plotë të Teheranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait”, tha Dzhagaryan.

Më parë, forcat detare të Iranit, Rusisë dhe Kinës zhvilluan një stërvitje të përbashkët në Detin e Omanit. Stërvitja në dhjetor 2019 ishte stërvitja e parë detare në shkallë të gjerë që Irani mbajti me Kinën dhe Rusinë pas revolucionit të vitit 1979.

Kategoritë
BotaLajme