Irani thirrje SHBA-së dhe Evropës: Mos e mbështesni Izraelin

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani u bëri thirrje dje Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane që të ndalojnë mbështetjen e Izraelit, në mënyrë që t’i jepet fund dhunës “të pamatur dhe brutale” kundër palestinezëve.

Duke komentuar një deklaratë të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili theksoi se një armëpushim i qëndrueshëm është e vetmja mënyrë për të mbrojtur civilët në Gaza dhe për të liruar të gjithë të burgosurit, Kanaani tha se fjalët nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund situatës së dëshpëruar humanitare në Gaza.

E vetmja mënyrë, shtoi ai, për t’i dhënë fund “kësaj tragjedie të dhimbshme, si dhe dhunës së pamatur dhe brutale” kundër palestinezëve është fundi “i plotë dhe praktik” i mbështetjes së SHBA-së dhe Evropës për Izraelin.

Izraeli ka nisur një ofensivë të gjerë kundër Hamasit në Rripin e Gazës, pas sulmit së paprecedentë më 7 tetor që mori jetën e rreth 1200 njerëzve. Që atëherë, të paktën 36,731 palestinezë janë vrarë dhe 83,530 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, tha ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze të kontrolluar nga Hamasi.

Kategoritë
BotaLajme