Iraniani Afshin Esmaeil Ghaderzadeh është renditur në Librin e Rekordeve Guinness si njeriu më i shkurtër në botë.
Ai është 20 vjeç, i gjatë 65.24 centimetra dhe peshon 6.5 kilogramë. Edukimi i Afshinit ishte i vështirë. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk mund të shkonte në shkollë, ai mbeti analfabet.
“Trajtimi dhe dobësia fizike e djalit tim janë arsyet kryesore pse ai e ndërpreu shkollën. Ai nuk ka probleme mendore,” tha babai i tij Esmaeil Ghaderzadeh.
Afshin ka udhëtuar drejt Dubait për të vizituar selinë e kompanisë së përmendur, ku është matur tre herë dhe më pas është futur në librin e rekordeve.
“Fakti që jam pjesë e rekordeve botërore Guinness është mahnitës. Ndonjëherë të duket si një ëndërr. Një ditë zgjohesh dhe e gjithë bota di për ty. Është magjike”, tha Afshin.
Familja e tij nuk ka para të mjaftueshme për trajtimin e tij, por ai beson se pas këtij suksesi gjithçka do të jetë ndryshe.
“Dua të jem në gjendje t’i ndihmoj prindërit e mi dhe t’ua shpërblej. Kjo njohje mund të ndihmojë”, përfundoi ai.