Ish-kryeinspektori i burgjeve tregon pse i mori incizimet e kamerave para Policisë në rastin Dehari

Ish-kryeinspektori i burgjeve të Kosovës, Ylber Topalli ka treguar se pse i ka marrë incizimet e kamerave para Policisë në rastin e Astrit Deharit.

Topalli në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ato incizime i ka marrë përmes USB’së, me qëllim të inspektimi të mëtutjeshëm.

“Me këtë konstatim është manipulu opnioni. Unë kam shku dhe kamerat i kam marr përmes USB i kam hedh prej Hard Disku në USB time me qëllim të inspektimit të mëtutjeshëm. Ashtu kanë vepru edhe organet e tjera, qoftë SHKK, Policia. Hard Disku është në origjinalitet në memorien e kompjuterit dhe atë nuk e kom marrë”.

I pyetur se pse nuk e ka pritur Policinë e Kosovës për marrjen e këtyre incizimeve, Topalli thotë se nuk e kanë të ndaluar t’i marrin pamjet për inspektime të brendshme. Njëjtë thotë se kanë vepruar edhe në raste të tjera.

“Unë i kam marrë për qëllime të inspektimit të brendshëm. Nuk e ndalon. Ashtu ka vepru edhe SHKKK, nuk kemi ndalesë pse mos me i marrë ato. Policia i kryen obligimet e veta, na për inspektime të brendshme. Në të gjitha rastet e tjera kemi vepru kështu”.

Kategoritë
LajmeVendi