Ish-kryeprokurori flet për uljen e pagave: Prokurorët e gjyqtarët do të marrin qindra euro më pak

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka tha se ulja e pagave është e paarsyshme dhe si pasojë e këtij vendimi prokurorët dhe gjyqtarët do të paguhen qindra euro më pak.

Teksa foli për Gazetën Express lidhur me vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ish-kryeprokurori Beka tha se paga ndikon në objektivitetin dhe paanësinë e një prokurori.

“Unë e kam pa (vendimin) si shumë të paarsyshëm, është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Të ardhurat e prokurorit garantojnë objektivitetin në punë, në paanësi, është shumë me rëndësi paga mos me u zbritë”, tha Beka.

Ai tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta mbrojë pagën e prokurorëve dhe të mbajë qëndrim.

“KPK duhet me mbrojtë pagën e prokuroroëve dhe KGjK pagën e gjyqtarëve”, tha ai.

Ai tha se një prokuror përafërsisht paguhen 1 mijë e 800 euro, por kjo pagë do të zbritet dukshëm.

“Dukshëm do të ju zbritet paga, qindra euro. Nuk është mirë për sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.

Sipas tij paga ndikon në  “sigurinë e prokurorit dhe gjyqtarit, në paanësinë, në mirëqeniene e tyre”.

“Rrogat nuk është mirë me u ulë, është mirë me u rritë për strukturat e tjera por jo me u ulë për prokurorët dhe gjyqtarët….Përafërsisht paga është 1 mijë e 800 euro”, u shpreh ai.

Qeveri  Kurti në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ky vendim ka nxitur shumë reagime dhe është kundërshtuar.

Njohësit e drejtësisë, vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve po e shohin si të kundërligjshëm dhe si diçka që mund t’i hapë mundësi korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Kategoritë
LajmeVendi