Italiani kontrovers dhe ish-futbollisti i Real Madridit, Antonio Cassano, ka kritikuar ashpër një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, Cristiano Ronaldon, për të cilin thotë se nuk është lojtar ekipor.
Cassano, pas përfundimit të karrierës, u bë i njohur për kritikat ndaj këdo që i del përpara, dhe më i fundit në listën e tij është një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Gjërat bëhen edhe më interesante, pasi të dy kanë luajtur për Real Madridin.
Ky italian 42-vjeçar, duke qenë i ftuar në podcast-in *Viva El Futbol*, kritikoi në mënyrë të çuditshme Ronaldon, pavarësisht arritjeve të tij historike në botën e futbollit.
“Cristiano Ronaldo nuk di të luajë futboll. Mund të kishte shënuar edhe 3,000 gola në karrierë, nuk më intereson fare. Higuain, Aguero, Benzema, Lewandowski, Ibrahimović dhe Suarez dinin të lidheshin me lojtarët. Ata dinin si të bënin shumë gjëra, ndryshe nga Ronaldo, i cili ka vetëm një qëllim në fushë, që ai të shënojë gol,” tha Cassano.
Kjo nuk është hera e parë që ish-sulmuesi shumë i talentuar italian kritikon Ronaldon, por në vitin 2022 e bëri këtë për dëshirën e Ronaldos për të vazhduar të luajë futboll. Cassano atëherë e ftoi Ronaldon që të përfundonte karrierën e tij.
Ndryshe, Cassano e përfundoi karrierën në vitin 2017 me fanellën e Veronës në moshën 35-vjeçare. Gjatë karrierës, ai ka veshur fanellat e klubeve të mëdha si Milani, Reali, Interi dhe Roma, ndërsa për kombëtaren e Italisë ka zhvilluar 39 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola.