Ish-ministri danez i Mbrojtjes ndiqet penalisht për nxjerrje të “sekreteve shtetërore”

Ish- ministri danez i Mbrojtjes Klaus Jört Frederiksen njoftoi sot se është ndjekur penalisht për nxjerrje të sekreteve shtetërore top-sekret.

Më herët, prokuroria tha se po ndiqte penalisht një person sipas një neni të kodit penal që përdoret rrallë, i cili, dënohet me burgim deri në 12 vjet për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Por nuk u bë i ditur emri i të akuzuarit.

Frederiksen, i cili ishte ministër nga viti 2016 deri në vitin 2019, konfirmoi përmes Facebook se njoftimi i prokurorisë ka të bëjë me të, por mohoi çdo keqbërje. Sipas prokurorisë, i akuzuari “në disa raste ka zbuluar apo dorëzuar sekrete shtetërore”, të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Pas padisë së tij paraprake vitin e kaluar, Frederiksen tha për mediat lokale se akuzat bazoheshin në deklaratat që ai kishte bërë në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mbikqyrjeje midis Danimarkës dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA (NSA). Në shtator, ish-kreu i shërbimit të fshehtë të huaj të Danimarkës u akuzua gjithashtu, për nxjerrje të informacioneve të klasifikuara. Frederiksen kishte imunitet parlamentar deri në nëntor, i cili nuk u rinovua pasi vendosi të mos kandidojë më në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në maj 2021, një hetim multimedial zbuloi se NSA kishte përdorur, të paktën deri në vitin 2014, rrjetin kabllor nënujor të Danimarkës për të spiunuar zyrtarët e lartë të katër vendeve (Gjermani, Suedi, Norvegji, Francë), duke përfshirë kancelaren e atëhershme Angela Merkel.

Disa muaj më vonë, ai tha në një intervistë për TV2 se marrëveshja për përdorimin e kabllove nëndetëse ishte bërë në fund të viteve 1990 nga presidenti i atëhershëm i SHBA Bill Clinton dhe ish-kryeministri danez Paul Nirup Rasmussen.

“Unë mohoj që kam tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes, dhe nuk kam zbuluar ndonjë sekret shtetëror të supozuar”, tha ai në postimin e tij, duke theksuar se aktakuza kundër tij është konfidenciale dhe për këtë arsye nuk do ta bëjë publike.

“Që në vitin 2013 dihej gjerësisht që ky bashkëpunim ekzistonte. Kush e zbuloi? Vetë amerikanët, sepse ishin në dokumentet e NSA të lëshuara nga (Edward) Snowden”, tha ai në një video të postuar sot në faqen e gazetës BT.

Nuk është caktuar ende një datë gjyqi. Prokuroria kërkoi që ajo të mbahej me dyer të mbyllura, sepse ka të bëjë me informacione konfidenciale që nuk duhen bërë publike.

Kategoritë
Bota