Ish-ministri i sigurisë kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, i ka bërë thirrje Izraelit të vazhdojë fushatën e tij kundër Hamasit në Gaza, pasi kjo organizatë njoftoi shtyrjen e shkëmbimit të robërve të planifikuar për të shtunën.
Deputeti i ekstremit të djathtë deklaroi se Izraeli duhet të ndërmarrë “një sulm masiv në Gaza, nga ajri dhe toka, me një ndalim të plotë të ndihmave humanitare për Rripin, duke përfshirë energjinë elektrike, karburantin dhe ujin, madje edhe bombardimin e ndihmave që tashmë kanë mbërritur dhe që janë në duart e Hamasit”.
“Duhet të rikthehemi në luftë dhe të shkatërrojmë!” shkroi ai në një postim në Twitter.
Partia e Ben Gvirit, Otzma Yehudit, u largua nga koalicioni muajin e kaluar në shenjë proteste kundër miratimit të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin nga qeveria.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po zhvillon konsultime me udhëheqësinë e sigurisë për të diskutuar mbi njoftimin e Hamasit se do të shtyjë lirimin e robërve për një kohë të pacaktuar, duke e akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Një zyrtar ka bërë të ditur për mediat se Netanyahu gjithashtu do të zhvendosë mbledhjen e kabinetit të sigurisë, e planifikuar për nesër pasdite, në orët e mëngjesit, pas deklaratës së Hamasit.