Çështja e Kosovës nuk do të jetë ndër prioritetet e presidentit të ardhshëm, Donald Trump dhe problemi në dialogun e ngecur nuk është as në Bruksel e as në Washington, por në Prishtinë dhe Beograd, thekson ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Thomas Countryman.
Countryman, të martën, ka thënë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nën mandatin presidencial të Donald Trumpit në Shtëpinë Bardhë.
“Nuk do të komentoj për Palestinën dhe Ukrainën, por kur bëhet fjalë për Ballkanin, problemi Serbi-Kosovë nuk do të jetë prioriteti i parë i Donald Trump. Në fakt, nuk do të jetë as ndër 50 prioritetet kryesore”, thekson Countryman.
Ai beson se ideja për shkëmbim territoresh nuk ka qenë e mirë që në fillim.
“Kam thënë pesë vjet më parë kur u përmend për herë të parë se nuk ishte një ide e mirë. Nuk është një ide e mirë sepse atëherë nuk do të kishte fund. Nuk ka shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe nëse një vend nuk mund të jetojë si një vend multietnik, problemi nuk mund të zgjidhet duke shkëmbyer njerëz apo territore”, tha Countryman.
Ai shton se është një perceptim i gabuar që më së shumti përgjegjës për bllokimin e negociatave janë SHBA dhe BE.
“Më duket se problemi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është as në Uashington dhe as në Bruksel, problemi është në Beograd dhe Prishtinë. Dhe presidenti i ri amerikan nuk mund ta ndryshojë këtë fakt”, theksoi Countryman.