Ish-presidenti kroat Mesiq për AA: Kosova është realitet dhe kjo nuk mund të ndryshohet

“Tashmë kam folur shumë për këtë. Mendoj se bota duhet ta kuptojë, ndërsa pastaj edhe Serbia, se Kosova është fakt, Kosova është realitet dhe kjo nuk mund të ndryshohet”, tha për AA ish-presidenti kroat.

Ish-presienti i Kroacisë, Stipe Mesiq, tha se bota dhe Serbia duhet të kuptojnë se Kosova është realitet dhe fakt dhe kjo gjë nuk mund të ndryshohet.

Stjepan “Stipe” Mesiq është presidenti i fundit i Presidencës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe i vetmi politikan në rajon që ka qenë president, kryeministër dhe kryetar i Parlamentit të Republikës së Kroacisë.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Mesiq foli për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj rajonale dhe globale, qëndrimin e Bashkimit Evropian (BE) ndaj vendeve të Ballkanit, për çështjet e hapura ndërmjet vendeve në rajon, si dhe për bashkëpunimin e rajonit me Türkiye-n.

Ai theksoi se lufta në Ukrainë nuk duhej të ndodhte sepse mund të zgjidhej në mënyrë diplomatike dhe se për shkak të luftës tani po ndodh një katastrofë në të cilën më së shumti vuajnë të varfrit.

“Nuk duhej të kishte ndodhur lufta në Ukrainë, sepse ekzistonte mundësia e një zgjidhjeje diplomatike, sepse Rusia këmbënguli që Ukraina të bëhej neutrale. Në fakt, të mos përfshihet (Ukraina) në paktin e NATO-s, të mund të anëtarësohet në BE, në mënyrë që raketat me armë bërthamore të mos arrijnë në kufirin rus. Për këtë u negociua, por presidenti aktual i Ukrainës mendoi se ishte e mundur që rusët të pranonin që (Ukraina) të anëtarësohej në paktin e NATO-s, ndërsa më pas e gjithë kjo shkaktoi një konflikt që nuk e dimë se kur dhe si do të përfundojë”, vlerëson Mesiq.

Ai konsideron se pasojat e luftës në Ukrainë janë katastrofike dhe se ato më së shumti prekin qytetarët e Evropës.

“Pres që ky veprim rus në Ukrainë nuk do të jetë i tillë që Rusia t’i arrijë të gjitha qëllimet e saj, por gjithashtu ka gjasa që edhe Perëndimi të mos i arrijë të gjitha qëllimet e veta. Thuhet se “edhe pema më e fortë plasaritet në mes. Edhe këtu do të shpërthejë në mes”, u shpreh ai.

Garë mes Amerikës, Kinës dhe Rusisë

Mesiq vlerëson se raportet mes fuqive botërore kanë ndryshuar në krahasim me të kaluarën.

“Tani zhvillohet garë e madhe mes Amerikës, Kinës dhe Rusisë. Por gjithashtu të gjithë harrojnë se bëhet fjalë për garë mes Amerikës dhe Gjermanisë në aspektin ekonomik. Ajo që është më e vështira tani është lufta propagandistike. Luftë e ashpër, brutale, propagandistike. Qytetarët vështirë se kuptojnë se çfarë po ndodh saktësisht. Sepse secila palë interpreton imazhin e saj të botës. Kush vuan këtu atëherë? Vuan objektiviteti, sepse njerëzit nuk mund të orientohen nëse nuk kanë të dhëna të plota për atë që po ndodh”, tha Mesiq.

“Është e pamundur që lufta në Ukrainë të zhvendoset në një zonë tjetër”

Lidhur me atë nëse siguria në Ballkan mund të prishet nga lufta në Ukrainë, Mesiq siguroi se një luftë tjetër në Ballkan është e pamundur.

“Ka disa spekulime për këtë, por mendoj se është e pamundur. Është e pamundur që lufta nga Ukraina të kalojë në një zonë tjetër dhe veçanërisht jo në Ballkan. Ka nga ata që janë të pakënaqur me rezultatet e luftës që ndodhi në ish-Jugosllavi, të cilët dëshirojnë të ndryshojnë sërish kufijtë, nga ata që janë liderët e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Këta mendojnë se kufijtë mund të ndryshohen sot, por kufijtë nuk kanë ndryshuar as pas 100 mijë të vdekurve. Kush mendon të ndryshojë sërish kufijtë e Ballkanit? Është thjesht e pamundur”, shprehet i bindur ish-presidenti kroat.

Dilemat e BE-së për zgjerimin dhe Ballkanin

I pyetur nëse pret që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datën për fillimin e negociatave me BE-në, Mesiq theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të përshpejtohet.

“Mendoj se kjo duhet të përshpejtohet. Duhet të pranojmë se në BE ka një trend që BE-ja duhet të zgjerohet, ndërsa nga ana tjetër ka një trend tjetër që thotë se gjërat nuk duhet të përshpejtohen. Në fakt, ne kemi nevojë për një Ballkan që do të jetë pjesë e BE-së, dhe të tjerët mendojnë: ‘Po, po, gjithçka është në rregull, thjesht nuk duhet bërë shpejt’. Kjo nuk është mirë për këto vende që ende nuk janë bashkuar në BE. Ndoshta ky konflikt në Ukrainë do të ndihmojë në përshpejtimin e hyrjes së të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”, nënvizoi Mesiq.

Marrëdhëniet Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe rruga drejt BE-së

Në kontekstin e marrëdhënieve aktuale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe pengimit bullgar ndaj Shkupit në rrugën drejt BE-së, Mesiq potencoi:

“Është çështje e diplomacisë, është një çështje që do të zgjidhet, por nuk guxon të jetë një çështje që do të ndalojë hyrjen e Maqedonisë në integrimet euroatlantike”.

“Siguria varet nga vendimet e fuqive të mëdha”

“Ish-presidenti kroat Mesiq në bisedë theksoi se nëse të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e BE-së, siguria do të jetë më e madhe në vetë BE-në, por kjo nuk varet vetëm nga vendet e rajonit.

“Siguria natyrisht që do të jetë më e madhe, por siguria nuk do të varet vetëm nga marrëdhëniet e vendeve të përmendura (vendet ballkanike), siguria do të varet nga vendimet e fuqive të mëdha. U takon atyre të gjejnë ‘modus vivendi’ dhe kështu të sigurojnë paqen botërore”, tha Mesiq.

I pyetur se sa ka sinqeritet tek BE-ja në raport me vendet e Ballkanit, Mesiq theksoi:

“Këtu nuk ka shumë sinqeritet, është çështje interesi dhe interesi, nga ana tjetër, është që vendet të komunikojnë, Evropa të jetë e sigurt, ndërsa Evropa është e sigurt kur të gjitha vendet e saj komunikojnë mirë me njëri-tjetrin.

“Të kuptojë bota dhe Serbia se Kosova është realitet dhe kjo nuk mund të ndryshohet”

Një nga seritë e çështjeve të hapura mes vendeve të rajonit është dialogu Beograd-Prishtinë dhe problemi i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Mesiq thekson se Serbia duhet ta pranojë realitetin se Kosova është fakt.

“Tashmë kam folur shumë për këtë. Mendoj se bota duhet ta kuptojë, ndërsa pastaj edhe Serbia, se Kosova është fakt, Kosova është realitet dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Një aksion për njohjen e Kosovës është pak mbrapa. Dikur shkoi shumë shpejt, pastaj veproi diplomacia serbe, kështu që disa shtete edhe e tërhoqën njohjen, gjë që nuk është mirë. Ajo që kam thënë sot publikisht është se mendoj se duhet bërë një fushatë. Do të ishte më e lehtë nëse Kosova do të mund të dërgonte një delegacion ekspertësh për të vizituar vendet e Amerikës së Jugut, Azisë dhe Afrikës dhe të shpjegonte pse Kosova duhet të njihet, pasi Kosova ishte një element përbërës i federatës jugosllave. Doemos duhet të kuptojmë se çfarë është federata? Është një zinxhir. Dhe kur të gjitha hallkat janë në zinxhir, atëherë ajo është një federatë, por nëse zinxhiri prishet, atëherë zinxhiri më nuk është dhe çdo hallkë mbetet në vete. Po ashtu është edhe me Kosovën, ajo duhej të dëshmonte në luftë të drejtën e saj për të qenë e pavarur”, theksoi Mesiq.

“Duhet të kemi frikë nga mbyllja, jo hapja”

Në rajon, është e rëndësishme edhe çështja e korrektësisë së iniciativës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”, në të cilën marrin pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Mesiq këtë e konsideron një ide të mirë.

“Mund të jetë një ide e mirë, Ballkani i Hapur, por i hapur (Ballkani) ndaj njëri-tjetrit dhe i hapur ndaj të tjerëve, kjo mund të jetë një hap edhe hapësira më e gjerë të përfshihet në hapësirën tonë ballkanike dhe në një mënyrë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Nuk është keq të hapet hapësira, që kapitali të qarkullojë, qytetarët të kalojnë lirshëm kufijtë, kjo do të ishte mirë për të gjithë. Duhet të kemi frikë nga mbyllja, jo hapja”, siguroi Mesiq.

Përfitimet e bashkëpunimit ekonomik në Ballkan me Türkiye-n

Lidhur me ndikimin e Türkiye-s në Ballkan, Mesiq tha se është mirë që një fuqi ekonomike si Türkiye të jetë e pranishme në këto hapësira.

“Nuk mendoj se ka ndonjë ndikim të veçantë të Türkiye-s në Ballkan. Türkiye është një fuqi serioze. Ushtria turke është ushtria më e fortë në paktin e NATO-s dhe Türkiye është një vend i fuqishëm ekonomikisht, është mirë të komunikosh me të, të paraqitet në njëfarë mënyre në aspektin ekonomik në ish-Jugosllavi, pra në Ballkan. Kjo është mirë”, tha Mesiq.

Lidhur me mosmarrëveshjet mes Türkiye-s dhe Greqisë, Mesiq shpjegoi se “ndërmjet tyre ka pasur gjithmonë mosmarrëveshje, por të dyja janë vende anëtare të NATO-s”.

Kërkesa e Finlandës dhe Suedisë për të qenë pjesë e NATO-s

Finlanda dhe Suedia janë prononcuar se dëshirojnë të anëtarësohen në NATO. Türkiye e kundërshton këtë, duke theksuar shqetësimet e saj të sigurisë për mbështetjen e të dy vendeve për organizatat terroriste, veçanërisht PKK-në.

“Po të mos kishte qenë ky pushtim rus i Ukrainës, çështja e neutralitetit të Finlandës dhe Suedisë nuk do të dilte fare si çështje. Kjo është një sfidë e re tani dhe pa dyshim ata menduan se do të ishte më e sigurt për ta të jenë anëtarë të NATO-s”, shprehet ish-presidenti i Kroacisë.

Tri fuqitë e mëdha dhe rendi i ri botëror

Mesiq është i bindur se në botë po krijohet një rend i ri, duke theksuar se është fakt se bëhet fjalë për “riorganizim të botës”.

“Është e vështirë të vlerësohet se çfarë do të ndodhë, por fakti është se bëhet fjalë për një riorganizim, për rirregullim botëror. Asgjë nuk do të jetë siç ishte. Është e vështirë të parashikohet se në cilin drejtim do të shkojë. Tashmë është e sigurt se nuk kemi një hegjemon, siç është SHBA-ja, por janë tri fuqi të mëdha, përkatësisht Kina, Amerika dhe Rusia, dhe është e qartë se midis këtyre tri fuqive të mëdha duhet të vazhdojë zhvillimi paqësor i botës, në të gjitha anët e globit”, përfundoi Mesiq në intervistën për AA.

Kategoritë
LajmeVendi