Ish-presidenti serb Tadiq pret një marrëveshje Serbi-Kosovë deri në dhjetor

Ish-presidenti i Serbisë (2004-2012) Boris Tadiq, aktualisht lider i Partisë Socialdemokrate, beson se braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët është një nga preludet për një marrëveshje të afërt ndërmjet dy vendeve.

Përveç kësaj, si prelud për një marrëveshje të tillë ai ka quajtur edhe rrëzimin e një droni në Serbi – i cili siç shkruajnë mediat serbe, fluturoi nga drejtimi i Kosovës – dhe ngritjen e aeroplanëve nga Serbia.

Madje, siç ka parashikuar ai, të gjitha këto janë një prelud i nënshkrimit të një marrëveshje në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.

“Së shpejti do të shohim se për çfarë shërbejnë dronët, MIG-të, braktisja e institucioneve dhe gjithë ky dramatizim. Në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, pres një marrëveshje që do të prezantohet si fitore, e cila në fakt do të kërcënojë në mënyrë dramatike interesat tona legjitime në Kosovë”, ka shkruar Tadiq, në Twitter.

Bashkë me postimin ai ka shpërndarë një video nga një emision televiziv në të cilin flet pikërisht për këtë.

Kategoritë
LajmeRajoni