Ish presidentja e Kosovës kërkon “dënim më tërë forcën e ligjit” për dhunuesit e 11 vjeçares

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar me anë të një postimi për rastin e dhunimit të një 11 vjeçare nga pesë burra në Prishtinë.

Jahjaga ka mbetur e shokuar nga ky rast, teksa ka bërë thirrje që organet e drejtësisë duhet t’i dënojnë sulmuesit më të gjithë forcën e ligjit.

“E shokuar nga dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare në Kosovë.  Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë përgjithmonë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

“Andaj, i bëj thirrje organeve të drejtësisë që t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të”.

Ish presidentja ka bërë edhe një thirrje për shoqërinë kosovare.

“Shoqëria jonë duhet t’i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme. Aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!”, thuhet në fund të këtij reagimi të Jahjagës të bërë në rrjetet sociale.

Kategoritë
LajmeVendi