Ish-prokurori i Serbisë për krime lufte: Vuçiqi le të tregojë të vërtetën që di për masakrën në kafenenë ‘Panda’ në Pejë

Ish-prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq, ka thënë tha se edhe pse e di mirë se kush i ka vrarë, kërkon më shumë detaje nga Aleksandar Vuçiq për masakrën që ndodhi më 14 dhjetor të vitit 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë, kur u vranë gjashtë të rinj serbë.

Kështu, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, i ka bërë një kërkesë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të tregojë se kush janë autorët e vrasjeve, duke pretenduar se e di më mirë se Vuçiqi se kush i ka vrarë dhe kush qëndron prapa këtij akti, por se është Vuçiqi ai që duhet të tregojë.

“Presidenti ynë tha se nuk do të na tregonte se kush ishte sepse pati një jehonë të tmerrshme dhe ai e di këtë”, citohet të ketë thënë Vukçeviq.

Siç kujton mediumi serb “Danas”, në kafenenë “Panda”, dy sulmues të maskuar vranë Zoran Stanojeviq (18), Ivan Radeviq (24), Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetislav Ristiq (18) dhe Dragan Trifunoviq (18).

Veç tyre, të plagosur kishin mbetur tre të tjerë.

“Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e djemve të vrarë ishin të bindur se krimi ishte kryer nga anëtarë të UÇK-së. Mirëpo, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Serbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision në TV Pink tha: Krimin në ‘Panda’ nuk e kanë bërë shqiptarët siç ne kemi besuar deri tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”, shkruan më tej Danas./telegrafi

Kategoritë
LajmeRajoni