Akuzat bazohen në pretendimet se Al-Sheikh urdhëroi dhe mori pjesë në torturimin e të burgosurve. Ai akuzohet se i ka dërguar të burgosurit në “njësinë e ndëshkimit”, ku i janë nënshtruar rrahjeve të rënda
Një ish-oficer ushtarak sirian, i cili mbikëqyrte burgun famëkeq “Adra” nën regjimin e Bashar al-Asadit, po përballet për shumë akuza për torturë në SHBA, transmeton Anadolu.
CNN raportoi se sipas autoriteteve, 72-vjeçari Samir Ousman al-Sheikh është akuzuar nga një juri kryesore federale për torturë dhe komplot për të kryer torturë.
Al-Sheikh, i cili menaxhoi burgun “Adra” në Damask midis viteve 2005 dhe 2008, u ndalua në muajin korrik në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit. Ai po përballet me akuza për mashtrim imigracioni pasi ka fshehur rolin e tij në burg në aplikimet e tij për vizë dhe shtetësi amerikane.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se ai fshehu përfshirjen e tij në sistemin e qendrave të ndalimit të Sirisë dhe në mënyrë të rreme mohoi se ka përndjekur të burgosur.
Akuzat bazohen në pretendimet se Al-Sheikh urdhëroi dhe mori pjesë në torturimin e të burgosurve. Ai akuzohet se i ka dërguar të burgosurit në “njësinë e ndëshkimit”, ku i janë nënshtruar rrahjeve të rënda.
Disa të burgosur dyshohet se në “njësinë e ndëshkimit” u torturuan me një pajisje të krijuar për të shkaktuar dhimbje ekstreme dhe për të shkaktuar fraktura të shtyllës kurrizore.
Nëse shpallet fajtor, Al-Sheikh mund të përballet me mbi 20 vjet heqje lirie për çdo akuzë torture dhe me 10 vjet shtesë për mashtrimin me imigracionin. Avokatja e tij, Nina Marino ka mohuar akuzat duke i cilësuar ato si “të motivuara politikisht”.
Këto zhvillime pasojnë rrëzimin e regjimit sirian të Asadit, që çoi në lirimin e mijëra të burgosurve nga grupet kundër regjimit. Organizatat e të drejtave të njeriut prej kohësh kanë akuzuar abuzimet sistematike të qeverisë siriane në objektet e qendrave të ndalimit.