Ish-të Burgosurit Politikë e mbështesin propozimin që lulëkuqja të përzgjidhet simbol i gjenocidit mbi shqiptarë

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës mbështesin propozimin që lulëkuqja të përzgjidhet simbol i gjenocidit mbi shqiptarë.

Shoqata këtë e bazon duke vlerësuar se krimet barbare serbe e malazeze ndaj popullsisë shqiptare, veçmas ndaj afro gjysmës së saj që ka jetuar në trojet e veta etnike e historike të pushtuara nga Serbia e Malit të Zi në vitin 1912, të ripushtuara pas Luftës së Dytë Botërore si dhe krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë në vitet e 90-ta të shekullit që lamë pas, kanë pasur përmasa gjenocidi me pasoja të rënda për popullin tonë dhe të ardhmen e tij, nismën për përdorimin e lulëkuqes si simbol të gjenocidit e vlerësojmë të qëlluar dhe si të tillë e përkrahim.

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës po ashtu thotë se e përkrahin edhe për arsye se historiografia serbe dhe malazeze, përzënien me zjarr e hekur të popullsisë shqiptare nga trevat në kufi me Serbinë, Kurshumlia, Leskovci, Prokupla, Toplica, Vranja e Nishi, gjatë viteve 1877-1878, e ka paraqitur dhe vazhdon t’i paraqesë si luftë “për çlirimin e spastrimin e tokave serbe nga turqit”, kurse operacionet e përgjakshme ushtarake gjatë luftërat ballkanike, të zhvilluara në brendi të territorit shqiptar, i arsyeton si ‘’ interes strategjik ekonomik për dalje në det… ’’

Për më tepër, ish-të burgosurit politikë përkujtojnë se krime të tilla ushtria dhe policia serbe ka bërë edhe kah fundi i Luftë së Parë Botërore, në vitet 1918 e 1919, ndërmjet dy luftërave botërore. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944-1945, vrasjet anekënd Kosovës e trojeve shqiptare të ripushtuara me mashtrimin më të dëmshëm për shqiptarët, vrasja në masë e popullsisë civile në Drenicë e, veçmas, vrasja e mijëra të rinjve duarthatë në Tivar, të mobilizuar gjoja për të përzënë ushtrinë gjermane nga Jugosllavia, janë bërë me qëllim të dobësimit të qenies biologjike të popullsisë shqiptare, formë kjo e veçantë gjenocidi.

“Ne, të burgosurit politikë, kemi arsye shtesë për përkrahjen e propozimit për përzgjedhjen e lulëkuqes si simbol të gjenocidit mbi shqiptarë, sepse për përpjekjet e luftën e pareshtur të shumë e shumë brezave për lirinë e pavarësinë e popullit tonë, nga regjimi jugosllav, prej vitit 1944 deri qershor të vitit 1999, shqiptarët janë dënuar me 6.667 shekuj burg”, thuhet ndër tjera në komunikatë.

Kategoritë
LajmeVendi