Ish-ushtari izraelit kthen çelësin e Xhamisë Al-Aksa pas 56 vitesh

“E ktheva çelësin që kisha vjedhur. Ia ktheva pronarëve të tij, dhe këtë duhet të bëjë edhe Izraeli. T’u kthejë palestinezëve tokën, të drejtat, respektin, pavarësinë, lirinë dhe sigurinë e tyre”, tha Yair Barack.

Një ish-ushtar izraelit dorëzoi të enjten çelësin e një porte të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar pasi e kishte vjedhur atë 56 vjet më parë, raporton Anadolu.

Departamenti i Vakëfit Islam në Kuds publikoi një video që tregon drejtorin e përgjithshëm të saj Sheikh Azzam Al-Khatib duke marrë çelësin nga njeriu, i identifikuar si Yair Barack.

Në video, Barack tha se ai ishte pjesë e batalionit izraelit që luftoi në frontin e Kudsit Lindor, duke shtuar se shumë nga shokët e tij humbën jetën gjatë luftimeve në vitin 1967. “Kam mbërritur te porta Al-Mughrabi (në korridorin perëndimor të xhamisë Al-Aksa) dhe kur shikova në anën e majtë, gjeta një çelës. Nuk e di pse e lëshova dorën mbi të dhe e mora”, tha ai.

“E vendosa çelësin në xhep dhe që atëherë e kam në posedim”, shtoi ai. Barack tha se pas 40 ose 50 vjetësh, filloi të mos ndihej i qetë që çelësi ishte ende tek ai “thjesht sepse e vodha dhe tani vendosa ta ktheja”.

“Tani erdha këtu. E ktheva çelësin që kisha vjedhur. Ia ktheva pronarëve të tij dhe këtë duhet të bëjë edhe Izraeli. T’u kthejë palestinezëve tokën, të drejtat, respektin, pavarësinë, lirinë dhe sigurinë e tyre”, tha Barack.

Ai tha se pas kthimit të çelësit, ndjeu se kishte “bërë gjënë e duhur”. Dorëzimi i çelësit nga ana e tij erdhi pasi kolonët izraelitë së bashku me shumë zyrtarë izraelitë iu bashkuan “marshit të flamurit” për të festuar pushtimin e Kudsit Lindor në vitin 1967.

Duke komentuar marshimin e diskutueshëm, ai tha se kjo është një nga ditët më të këqija të vitit për të, duke shtuar se ai nuk e feston “ditën e flamurit” shumë kohë më parë.

Marshimi i Flamurit organizohet nga kolonët izraelitë çdo vit për të shënuar atë që ata e quajnë bashkimin e Kudsit, duke iu referuar pushtimit të qytetit nga Izraeli në vitin 1967.

“Unë isha pjesë e saj në atë ditë. Uroj që të mos e kisha bërë, që përfundoi me pushtimin e Kudsit”, tha ai.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme