“Ishte një bisedë e vështirë”, Vuçiq: Kaja Kallas kërkoi zgjidhjen e rastit Banjska

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.

Vuçiq shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

“Ishte një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas, shefen e diplomacisë së BE-së. Folëm për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesjai lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, ka shkruar Vuçiq në një postim në rrjetin social Instagram, transmeton Telegrafi.

Ai tha se shefes së BE-së i është përgjigjur “në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”.

Shefja e diplomacisë evropiane ka takuar sot edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimet e shefes së re të diplomacisë së BE-së me krerët e Kosovës dhe Serbisë, mbahen disa ditë pas një shpërthimi në një kanal të ujit në Zubin Potok të Kosovës. Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

Kallas, që nisi mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ndërmjetësojë procesin e dialogut, që ka nisur më 2011. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi