Kryeprokurori i Shtetit, Blerim Isufaj, ka thënë se nuk e di nëse është intervistuar dikush ndonjëherë në zyrën e kryeministrit, ashtu siç ka kërkuar kryeministri aktual, Albin Kurti, të japë dëshminë e tij, të kërkuar nga Prokuroria Speciale.
“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë por unë nuk e di. Të paktën përderisa unë po bëhen 5 vjet që jam kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla s’kemi pasur”, tha Isufaj gjatë një konferencën për media të thirrur këtë të hënë.
Ai ka kërkuar nga qeveria që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që synon politizimin e drejtësisë.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie të dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, andaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë, po flas atë që unë di dhe që mendoj se duhet bërë”, ka thënë Isufaj