Edoardo Bove u rrëzua pa pasur ndonjë kontakt me kundërshtarët në minutën e 17-të dhe u transportua menjëherë në spital, pasi mori ndihmën e parë në fushë
Klubi italian Fiorentina konfirmoi se futbollisti Edoardo Bove është shtruar në repartin e kujdesit intensiv pasi humbi ndjenjat në fushë gjatë ndeshjes me Interin në stadiumin “Artemio Franchi”, transmeton Anadolu.
“ACF Fiorentina dhe Spitali Universitar Careggi kanë njoftuar se futbollisti Edoardo Bove, i cili u trajtua në fushë pas humbjes së vetëdijes gjatë ndeshjes Fiorentina – Inter, aktualisht është nën sedacion dhe është shtruar në kujdesin intensiv”, tha Fiorentina në një deklaratë.
Në njoftimin e klubit italian thuhet se Bove mbërriti në urgjencë në gjendje të qëndrueshme, ku iu bënë teste fillestare kardiologjike dhe neurologjike në të cilat u përjashtua çdo dëmtim akut i sistemit nervor qendror ose kardio-frymëmarrjes ndërsa gjendja e tij do të rivlerësohet në 24 orët e ardhshme.
Ndeshja Fiorentina – Inter u ndërpre pas urgjencës mjekësore që përfshiu mesfushorin. Lojtari u rrëzua pa pasur ndonjë kontakt me kundërshtarët në minutën e 17-të dhe u transportua menjëherë në spital, pasi mori ndihmën e parë në fushë.
Arbitri Daniele Roveri më pas e pezulloi lojën.