Italia, shteti i dytë brenda BE ku fiton e djathta ekstreme brenda dy muajve

Siç ishte parashikuar koalicioni i djathtë ka fituar zgjedhjet në Itali. Kryeministrja e ardhshme Xhorxha Meloni premtoi të udhëheqë për të gjithë italianët, ndërsa zgjedhja e saj pritet të mos i pëlqejë të majtës në Bashkimin Evropian. Fitorja e së djathtës ekstreme vjen një javë pas fitores neo-naziste në Suedi.

Koalicioni i qendrës së djathtë në Itali ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeministrja e ardhshme do të jetë Giorgia Meloni e partisë Fratelli d’Italia me mbi 26% të votave të italianëve.
Aleatët e saj, Liga e ekstremit të djathtë e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, mbetën pas Melonit, por koalicioni parashikohet të fitojë rreth 43% të votave.

Poli i majtë me të dhënat e projektuara deri tani ka marrë 26.44% të votës, Lëvizja 5 Yje 15.13%, ndërsa koalicioni i përbërë nga Italia Viva e Matteo Renzit e Azione e Carlo Calenda fituan 7.8% të votës së italianëve.
Në fjalimin e saj të fitores e veshur me ngjyrat e flamurit, kryeministrja e ardhshme premtoi se do të shërbejë për të gjithë italianët.

Xhorxha Meloni: Nëse jemi thirrur për të qeverisur ne do ta bëjmë atë për të gjithë italianët. Ne do ta bëjmë atë me synimin për të bashkuar njerëzit për të përmirësuar atë që na bashkon dhe na ndan.

Edhe lideri i së djathtës ekstreme Lidhja, Matteto Salvini i uroi zgjedhësit përmes një postimi në Twitter.
Kjo forcë politike ka shënuar një rënie duke marrë 9,2% të votave të italianëve, ndërsa Forza Italia e zotit Berlusconi mbi 8%.

Pas partisë së Melonit, forca e dytë politike më e votuar në vend është Partia Demokratike, që me kutitë e numëruara deri tani ka marrë 19.4% të votave, ndërsa pas saj Lëvizja 5 Yje me gati 16% të zgjedhjes së italianëve.

Koalicioni i Qendrës së Djathtë ka marrë deri tani 141 vende në dhomën e Senatit e maxhorancën e duhur për të qeverisur në autonomi të plotë në legjislaturën e re italiane.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte më e ulët se ato në 2018, rreth 9% më pak.

Meloni kishte udhëhequr sondazhet e opinionit që kur ra qeveria e Mario Draghit.

Pavarësisht paragjykimeve nga e majta në Bruksel, Meloni mbështet fuqishëm sanksionet e BE-së kundër Rusisë, megjithëse aleatët e saj janë më të moderuar ndaj presidentit rus.

Zonja Meloni është zotuar të ulë inflacionin ndërsa italianët përballen me krizë energjike dhe fatura të larta të dritave dhe gazit.

Ajo do të punojë për të ndaluar mijëra emigrantë të paligjshëm që mbërrijnë në brigjet italiane çdo vit.

Partia Demokratike e cila do të jetë në opozitë për katër vitet e ardhshme pretendon se Meloni do të përbënte një rrezik serioz për të drejtat e abortit dhe do të injoronte ngrohjen globale.

Italia është vendi i dytë brenda muajit ku ka fituar e djathta ekstreme, bashkë me Suedinë ku fitoi një parti e themeluar si neo-naziste duke mos çuar një mesazh aq të mirë për Bashkimin Evropian të cilët udhëhiqen nga e majta.

Krahas atyre ndër vendet e BE-së e djathta ekstreme udhëheq në Hungari dhe Poloni.

Kategoritë
BotaLajme