Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik, Bakir Izetbegoviç, u takua sot me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës, si dhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të ekonomisë, kulturës dhe sigurisë.
Në këtë kontekst, Izetbegoviç përshëndeti vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës që udhëtojnë në Kosovë, çka, siç u theksua, do të kontribuojë në forcimin e ndjeshëm të bashkëpunimit.
U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e të gjitha detyrimeve që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë përsipër në kuadër të Procesit të Berlinit, që përfshin garantimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.
Po ashtu, u diskutua për procesin e integrimeve evropiane dhe mundësitë e bashkëpunimit reciprok ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua situatës në rajon, zhvillimeve gjeopolitike dhe ndikimit të tyre në Ballkanin Perëndimor, si dhe ndikimeve të huaja dashakeqe që kanë tendencë të shkaktojnë destabilitet.
Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redzepi, anëtari i Kryesisë së SDA-së dhe kreu i Klubit të Boshnjakëve në Dhomën e Popullit të PSBiH-së, Shefik Dzaferoviç, dhe sekretari i përgjithshëm i SDA-së, Halid Genjac.
Izetbegoviç i dhuroi Kurtit gjithashtu veprat e plota të presidentit të parë të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviç, në gjuhën shqipe.