Dhjetëra palestinezë u vranë ose u plagosën pasi Izraeli bombardoi Shkollën Al-Fakhoura në Jabalia, e cila është e lidhur me Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt
Ushtria izraelite bombardoi sot një shkollë tjetër të lidhur me OKB-në në veri të Gazës, ku gjendeshin të strehuar mijëra civilë të zhvendosur, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra njerëz, ndërsa burime mjekësore dhe lokale palestineze raportojnë se aktualisht është e vështirë të largohen trupat dhe të transferohen të plagosurit për mjekim, raporton Anadolu.
Dhjetëra palestinezë u vranë ose u plagosën pasi Izraeli bombardoi Shkollën Al-Fakhoura në Jabalia, Gazën veriore, e cila është e lidhur me Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).
Burime palestineze mjekësore dhe lokale thanë për Anadolu se “trupat e dëshmorëve kanë mbuluar korridoret e shkollës”, duke vënë në dukje vështirësinë e evakuimit të të plagosurve dhe të vrarëve nga ndërtesa, në të cilën kishin gjetur strehë mijëra civilë të zhvendosur.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës tha se Izraeli “po kryen masakra në Rripin e Gazës, e fundit prej të cilave është Shkolla Al-Fakhoura”.
Në një deklaratë dërguar Anadolus, ministria tha: “Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër masakrat masive të vazhdueshme të kryera nga forcat pushtuese kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, më e fundit prej të cilave ishte masakra e tmerrshme në Shkollën Al-Fakhoura, e mbushur me njerëz të zhvendosur me forcë”.
“E konsiderojmë këtë një dëshmi të re që vërteton se lufta e deklaruar e Izraelit ndaj civilëve palestinezë synon të zbrazë gjithë zonën veriore të Rripit Gazës nga çdo prani palestineze”, shtoi ministria.
“Me këtë masakër, e cila shënjestroi një shkollë të UNRWA-së, pushtuesi fyen komunitetin ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara dhe nënçmon të gjitha detyrimet joefektive ndërkombëtare që bëjnë thirrje për mbrojtjen e civilëve”, theksohet në deklaratë.