Izraeli dënon deklaratat e ministrit të Jashtëm rus për origjinën e Hitlerit

Shefi i diplomacisë ruse Lavrov dje tha se ai beson se lideri nazist Adolf Hitler “ka pasur gjak hebre”

Ministria e Jashtme izraelite ka thirrur sot ambasadorin rus për bisedime dhe i dorëzoi notë proteste kundër pretendimeve të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se lideri nazist Adolf Hitler ka pasur gjak hebre, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme izraelite dënoi dhe i cilësoi si rrëqethëse deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm rus, Lavrov.

Në njoftim thuhet se pas deklaratave të Lavrov-it, në Ministri është ftuar ambasadori rus në Tel Aviv, Anatoli Viktorov, për të shpjeguar deklaratat kontestuese të ministrit rus.

Në një intervistë për mediat italiane dje, Lavrov tha se fakti që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është hebre nuk bie ndesh me pretendimet e Moskës se ka nisur sulm për “denazifikimin” e Ukrainës.

“Besoj se Hitleri ka pasur edhe gjak hebre”, tha Lavrov.

Duke iu përgjigjur komenteve, ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid në Twitter theksoi se deklaratat e Lavrov-it janë të pafalshme dhe të padëgjuara dhe se janë një gabim i tmerrshëm historik.

“Niveli më i ulët i racizmit kundër hebrenjve është akuzimi i vetë hebrenjve për antisemitizëm”, tha Lapid.

Kategoritë
BotaLajme