Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog dhe ministri i Drejtësisë, Yariv Levin po shqyrtojnë dhënien e amnistisë për “të burgosurit hebrenj” që kanë kryer krime kundër palestinezëve
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog dhe ministri i Drejtësisë, Yariv Levin po shqyrtojnë dhënien e amnistisë për “të burgosurit hebrenj” që kanë kryer krime kundër palestinezëve, raportojnë mediat izraelite, transmeton Anadolu.
Në lajmin e gazetës “Israel Hayom”, pretendohet se autoritetet izraelite po punojnë për një propozim amnistie që do të lejonte lirimin e “të burgosurve hebrenj” që kanë kryer krime kundër palestinezëve. Thuhet se ky hap ndërmerret në emër të “rivendosjes së ekuilibrit” pas lirimit të të burgosurve palestinezë si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.
Zyra e Amnistisë në Presidencën izraelite dhe Zyra e Amnistisë në Ministrinë e Drejtësisë kanë mbajtur një takim me qëllimin për kryerjen e një hetimi paraprak mbi këtë çështje.
Pretendohet se autoritetet izraelite “po shqyrtojnë mundësinë e uljes së dënimeve dhe dhënies së amnistisë për të burgosurit hebrenj të dënuar për krime nacionaliste kundër palestinezëve dhe se në këtë kontekst po shqyrtohet një listë prej 20 të burgosurish hebrenj”.
Takimi në fjalë u mbajt pasi deputetët izraelitë, rabinët, aktivistët politikë dhe organizatat e ekstremit të djathtë kërkuan “amnisti për të burgosurit hebrenj për ekuilibër dhe barazi” pas zbatimit të shkëmbimit të pengjeve midis Hamasit dhe Izraelit.
Gazeta “Israel Hayom” citoi se burimet politike kanë thënë se presidenca izraelite dhe Ministria e Drejtësisë duan t’i shqyrtojnë rastet një nga një, se pendimi do të jetë kusht për uljen e dënimit ose amnisti dhe se ata mund të kërkojnë këshilla nga agjencia vendase e inteligjencës Shin Bet.
Janë rikujtuar praktikat edhe gjatë marrëveshjeve të mëparshme të shkëmbimit të pengjeve, ku “dënimet e të burgosurve hebrenj janë ulur ose falur”.
– “Asgjë nuk mund të justifikojë marrëveshjen e pamatur të dorëzimit me Hamasin”
Pas përhapjes së lajmit në mediat izraelite, Itamar Ben-Gvir, lideri i Partisë “Forca Hebraike” e ekstremit të djathtë, ka deklaruar se “Asgjë nuk mund të justifikojë marrëveshjen e pamatur të dorëzimit të bërë me Hamasin”.
Në një postim në llogarinë e tij në X, Ben-Gvir e përshkroi si një “marrëveshje dorëzimi” për Izraelin armëpushimin dhe marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve e cila hapi rrugën për lirimin e të burgosurve palestinezë, hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.
Duke pretenduar se Izraeli nuk ka rifilluar sulmet në Gaza, pavarësisht se ka marrë mbështetjen e plotë të SHBA-së, Ben-Gvir shkroi: “I bëj thirrje kryeministrit dhe ministrave që të vijnë në vete dhe të kthehen menjëherë në një luftë gjithëpërfshirëse për të shkatërruar Hamasin”.