Izraeli do të lirojë 369 të burgosur palestinezë në shkëmbimin e të nesërmes

Zyra për Media e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se grupi i liruar do të përfshijë 36 të burgosur që vuajnë dënimin e përjetshëm dhe 333 të burgosur të arrestuar pas 7 tetorit të vitit 2023 nga Gaza

Izraeli nesër do të lirojë 369 të burgosur palestinezë në kuadër të grupit të gjashtë të fazës së parë të marrëveshjes në vazhdim të shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, raporton Anadolu.

Zyra për Media e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se grupi i liruar do të përfshijë 36 të burgosur që vuajnë dënimin e përjetshëm dhe 333 të burgosur të arrestuar pas 7 tetorit të vitit 2023 nga Gaza.

Në këmbim, Brigada Al-Qassam, krahu ushtarak i lëvizjes palestineze Hamas, më herët njoftoi emrat e tre pengjeve izraelite të planifikuar për t’u liruar gjithashtu nesër në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit.

Dje, Hamasi ripohoi angazhimin për zbatimin e marrëveshjes siç është nënshkruar, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve sipas afatit kohor të rënë dakord.

Hamasi theksoi se ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari kanë punuar për të zgjidhur pengesat e shkaktuara nga shkeljet e marrëveshjes nga Izraeli, duke i përshkruar negociatat si “pozitive”.

Këto përpjekje ndërmjetësimi pasuan vendimin e të hënës nga Hamasi për të pezulluar lirimin e pengjeve izraelite derisa Tel Avivi të pushojë shkeljet dhe të respektojë në mënyrë retroaktive protokollin humanitar të marrëveshjes.

Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën izraelite e cila ka vrarë të paktën 48.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.

Kategoritë
BotaLajme