“Jabalia është kthyer në një qytet fantazmë. Jashtë, ju kryesisht shihni tufë pas tufe qensh endacakë që bredhin përreth dhe kërkojnë për mbeturina ushqimore”, theksoi analisti i çështjeve ushtarake
Kampi i refugjatëve Jabalia, që ndodhet në pjesën veriore të Rripit të Gazës, është kthyer në një “qytet fantazmë” me rreth 70 për qind të shtëpive dhe ndërtesave të shkatërruara plotësisht nga sulmet vdekjeprurëse izraelite në zonë, transmeton Anadolu.
Sipas një shkrimi për gazetën izraelite ‘Haaretz’ nga analisti i çështjeve ushtarake, Amos Harel, “aq sa mund të shohë syri, shtrihen milje e kilometra shtëpi të shkatërruara”.
“Është e vështirë të shohësh larg nga mbetjet e shkatërruara të kampit të refugjatëve Jabalia në Gazën veriore”, theksoi Harel.
Ushtria izraelite vlerëson se 70 për qind e ndërtesave të kampit të refugjatëve janë shkatërruar plotësisht.
“Mund të shihja se edhe ato pak ndërtesa, që ende janë në këmbë, ishin dëmtuar rëndë”, tha Harel.
Që nga 5 tetori i këtij viti, Izraeli ka nisur një operacion tokësor në shkallë të gjerë në veri të Gazës për të parandaluar ri-grupimin e grupit palestinez Hamas. Megjithatë, palestinezët akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.
Që atëherë, asnjë ndihmë e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin, nuk është lejuar në këtë zonë, duke e lënë popullsinë e mbetur atje në prag të urisë.
“IDF-ja (ushtria izraelite) operoi këtu dy herë më parë, në dhjetor 2023 dhe në maj 2024, por këtë herë kampi u shpërbë”, tha Harel.
“Jabalia është kthyer në një qytet fantazmë. Jashtë, ju kryesisht shihni tufë pas tufe qensh endacakë që bredhin përreth dhe kërkojnë për mbeturina ushqimore”, theksoi analisti i çështjeve ushtarake.
Sulmet e fundit në Gazën veriore ishin episodi i fundit në një luftë brutale izraelite ndaj Rripit të Gazës, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 45.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke e akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për luftën brutale në Rripin e Gazës, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.