Izraeli goditi spitalin ku ishin vaksinuar fëmijët në Gaza, në dy ditë janë vrarë mbi 50 fëmijë

Ushtria izraelite goditi një klinikë gjatë programit të vaksinimit kundër poliomelitit në Rripin e Gazës, duke plagosur shumë fëmijë palestinezë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, u plagosën gjatë sulmit të së shtunës në objektin Sheikh Radwan.

Në klinikë ishte vendosur një pauzë humanitare për të mundësuar raundin e dytë dhe të fundit të vaksinimit kundër poliovirusit, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ghebreyesus deklaroi në X se raporti ishte “jashtëzakonisht shqetësues”, duke përmendur se një ekip i OBSH-së ishte i pranishëm pak para sulmit.

“Kjo goditje, gjatë një pauze humanitare, rrezikon shenjtërinë e kujdesit shëndetësor për fëmijët dhe mund të dekurajojë prindërit nga sjellja e fëmijëve për vaksinim”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e mos goditjes së zonave të tilla.

“Këto pauza jetike humanitare duhet të respektohen absolutisht. Armëpushim!”, shkroi ai.

UNICEF-i gjithashtu kritikoi sulmin ndaj institucionit që ishte përfshirë në vaksinimin kundër poliomelitit, duke theksuar se ishin krijuar “mikroplane të fuqishme” për t’iu përshtatur ndryshimeve të popullsisë dhe zhvendosjes. Faza e dytë e vaksinimit filloi të shtunën pas një vonese për shkak të granatimeve intensive izraelite dhe problemeve të aksesit.

Fushata u nis pas rastit të parë të poliomielitit në 25 vjet, që paralizoi një foshnjë në gusht. Në një incident të veçantë, drejtoresha e UNICEF-it, Catherine Russell, raportoi se një automjet i stafit të saj u qëllua nga një quadcopter, megjithëse shoferi mbeti i padëmtuar.

Aktualisht, 15 organizata humanitare dhe të OKB-së e përshkruajnë situatën në Gazën veriore si “apokaliptike”, me rreth 15,000 fëmijë nën moshën dhjetë vjeç të cilët ende nuk kanë akses në programin e imunizimit. OBSH synon të japë dozën e dytë të vaksinës orale kundër poliomielitit për 119,000 fëmijë në atë zonë.

Në 48 orët e fundit, më shumë se 50 fëmijë janë vrarë në Jabalia, në Gazën veriore, sipas agjencisë së fëmijëve të OKB-së.

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, deklaroi të dielën se sulmet kishin shënjestruar dy ndërtesa banimi, ku në dy ditët e fundit ishin strehuar qindra njerëz.

“Ky ka qenë një fundjavë tashmë vdekjeprurëse sulmesh në Gazën Veriore,” tha Russell në një deklaratë.

Në jug të Gazës, të dielën, një sulm izraelit goditi një grup njerëzish të mbledhur jashtë në distriktin lindor të Khan Younis, duke vrarë të paktën tetë palestinezë, përfshirë katër fëmijë dhe një grua, njoftoi shërbimi emergjent i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Spitali i qytetit Nasser, i cili pranoi shumicën e trupave, konfirmoi shifrat.

Kategoritë
BotaLajme