Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha të enjten se ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë planin për largimin nga Gaza të një numri të madh palestinezësh në rrugë tokësore, detare dhe ajrore.
Katz mirëpriti atë që ai e quajti “plan i guximshëm” i Presidentit amerikan Donald Trump për largimin e banorëve të Gazës nga territori i shkatërruar nga sulmet tokësore dhe ajrore izraelite me objektiv militantët e Hamasit.
Zyrtarët palestinezë e hodhën poshtë planin e Presidentit Trump që sugjeron që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll Rripin e Gazës, e të detyrojnë zhvendosjen në vende të tjera të 2 milionë palestinezëve. Trump tha se rajoni përgjatë Detit Mesdhe do të shndërrohet në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Presidenti Trump i bëri komentet të martën gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një intervistë të mërkurën për rrjetin televiziv Fox News, Netanyahu tha se palestinezët mund të largohen nga Gaza ndërsa ajo rindërtohet e më pas të kthehen.
“Është një ide e jashtëzakonshme dhe mendoj se duhet shqyrtuar e realizuar, sepse mendoj se do të krijojë një të ardhme ndryshe për të gjithë”, tha ai.