Deri para pak kohe, qeveria izraelite ëndërronte të sillte gazin dhe naftën nga Gjiri në portin e Haifas dhe t’i transportonte ato në Evropë
Izraeli është i shqetësuar për mundësinë që nafta dhe gazi natyror nga Gjiri të transportohen në Evropë përmes Sirisë dhe Türkiyes, transmeton Anadolu.
Deri pak kohe, qeveria e Tel Avivit ëndërronte të sillte gazin dhe naftën nga Gjiri në Portin e Haifas në Izrael dhe më pas t’i transportonte ato në Evropë.
Pas revolucionit në Siri, ëndrra e Izraelit duket se është shkatërruar.
Përfundimi i luftës civile në Siri dhe vendosja e marrëdhënieve të ngushta mes qeverisë së re të Damaskut dhe Ankarasë kanë sjellë sërish në plan të parë projektin e transportit të gazit të Katarit në Evropë nëpërmjet Sirisë dhe Türkiyes.
Në gazetën “Yediot Ahronot” u publikua një analizë e titulluar “Çfarë fshihet pas tensionit të paprecedentë midis Türkiyes dhe Izraelit?” me autor Nadav Eyal.
Artikulli kritikonte Izraelin se “nuk ka strategji” në lidhje me Sirinë dhe thoshte se “Türkiye nuk do t’ia lërë kurrë terrenin sirian Izraelit”.
Artikulli i referohej projektit të transportit të gazit të Katarit në Evropë përmes Sirisë dhe Türkiyes, i cili ishte në rendin e ditës para luftës civile në Siri, dhe vlerësoi se kjo tani mund të jetë sërish në rend dite dhe se Ankaraja nuk do ta lejonte kurrë që Izraeli ta rrezikonte këtë.
“Turkiye, e cila e sheh Sirinë si një prioritet strategjik, nuk do t’ia lërë këtë zonë Izraelit”, thuhet në artikull.
– “Izraeli duhet të vendosë kontakte me Türkiyen në vend që të hyjë në konflikt”
Në artikullin, i cili thekson rëndësinë për Ankaranë të projektit të mundshëm të tubacionit që do të transportojë gazin natyror të Katarit në Türkiye përmes Sirisë dhe prej aty në Evropë, ish-ambasadorja izraelite në Türkiye, Amira Oron ka thënë se “Türkiye luan rol kyç në stabilitetin e Sirisë. Izraeli do të bënte mirë të angazhohej me Ankaranë përmes kanaleve diplomatike në vend që të rrezikonte një konflikt ushtarak”.
Oron thekson se ka disa vende në rajon që kanë dyshime se qëllimi i Izraelit është të ndajë Sirinë. “(Këto vende) janë të mendimit se Türkiye po përpiqet të mbajë një strukturë të qëndrueshme shtetërore në Siri”, thotë ajo.
– “Izraeli nuk ka strategji për Sirinë”
Artikulli kritikoi Izraelin për dështimin për të përcaktuar një politikë të qartë për Sirinë, pavarësisht nga sulmet ajrore në rritje në Siri, duke zgjeruar pushtimin e tij në terren dhe përpjekjet për të vendosur kontakte me druzët dhe pakicat tjera.
Më tej thuhet se ndërhyrjet e qeverisë së Tel Avivit të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu në Siri mund të nxisin disa skenarë të rrezikshëm si “rritja e konflikteve me qeverinë siriane, përfshirja në konflikt sektar, madje edhe hapja e një fronti të ri me ushtrinë turke”.
“Hapja e një fronti të ri në një kohë kur frontet ekzistuese (si Gaza dhe Libani, ku vazhdojnë sulmet e Izraelit) mbeten të pazgjidhura është një rrezik që Izraeli nuk mund ta përballojë”, thuhet mes tjerash.
Pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar Baath në Siri, “Tubacioni i gazit natyror Katar-Türkiye”, është rikthyer në axhendë nga aktorët e energjisë në rajon.