“Që nga 19 janari kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit në Gaza, në Bregun Perëndimor të pushtuar janë arrestuar 380 palestinezë. Krahas kësaj, shumë njerëz janë marrë në pyetje”
Ushtria izraelite ka arrestuar 380 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit në Gaza më 19 janar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se forcat izraelite 15 ditë më parë intensifikuan sulmet e tyre duke filluar nga qyteti i Jeninit dhe vazhduan të rrisin arrestimet dhe bastisjet e tyre në Kampin e Refugjatëve Jenin dhe qytetet e Tubas dhe Tulkarm.
“Kundër palestinezëve po zbatohet një politikë sistematike arrestimi”, theksohet në deklaratën ku thuhet se krimet sistematike dhe brutaliteti ndaj të burgosurve dhe të dënuarve në burgje janë rritur gjithashtu.
“Që nga 19 janari kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit në Gaza, në Bregun Perëndimor të pushtuar janë arrestuar 380 palestinezë. Krahas kësaj, shumë njerëz janë marrë në pyetje”, bëhet e ditur në deklaratën në të cilën theksohet se në këtë numër përfshihen ata që u arrestuan dhe u liruan pas ndalimit.
– Sulmet izraelite në veri të Bregut Perëndimor
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza të dielën më 19 janar, ushtria izraelite nisi të martën e 21 janarit një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e quajti “Muri i Hekurt”.
Ndërsa të hënën, më 27 janar, Izraeli i zhvendosi në Tulkarm sulmet e tij të dhunshme të cilat i vazhdonte në Jenin. Në sulmet e saj që kryen në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite po dëmton transportin, ujin, energjinë elektrike dhe infrastrukturën e komunikimit dhe po shkatërron shtëpitë në rajon.
Ushtria izraelite krahas bastisjeve, sulmeve ajrore, hedhjes në erë të vendbanimeve civile, shkatërrimit të infrastrukturës me makineri ushtarake dhe detyrimit të palestinezëve të migrojnë, po dëmton jetën dhe pronën e palestinezëve përmes akteve të ndryshme.