Shërbimi i burgjeve izraelite sapo liroi të burgosurit palestinezë në kuadër të marrëveshjes me Hamasin për armëpushim.
Izraelitët e bënë këtë në një mënyrë mjaft të pazakontë, pasi më parë edhe Hamasi kishte nxjerrë tre pengjet e tyre në skenë, i kishte treguar publikut dhe u kishte dhënë të lexonin disa fjali.
Duket se Izraeli vendosi të përgjigjej me një ceremoni të ngjashme, duke i veshur të burgosurit palestinezë të liruar me bluza të njëjta.
Në bluzat e tyre mund të shihej logoja e Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Ylli i Davidit dhe fjalia “Nuk do të harrojmë as nuk do të falim”. Kjo fjali ishte e shkruar në arabisht.
Autobusi i parë që transportonte të burgosurit palestinezë të liruar u nis nga burgu izraelit Ofer në Bregun Perëndimor, siç tregojnë pamjet live.
Sipas njoftimeve, sot do të lirohen 369 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë, pasi Hamasi dorëzoi pengjet izraelite Iair Horn, Sagi Dekel-Chen dhe Sasha Troufanov.